Nga Gazeta Si- Pas zbardhjes së mashtrimit më të madh të bërë në arsim, ku është arrestuar një 20-vjeçar nga Devolli, ka reaguar Ambasada amerikane në Tiranë, duke falënderuar Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Tiranës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Ambasada Amerikane shkruan se i riu mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës.
“Një hetim gjashtë-mujor nga kjo njësi speciale kulmoi me arrestimin e djeshëm të një individi që mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës”, shkruhet në reagimin e ambasadës.
Ambasada e SHBA falënderon Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Tiranës dhe i përgëzon për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë. “Njësia e Hetimeve Kriminale Ndërkombëtare dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale të Policisë së Shtetit kanë një njësi të posaçme që kryen hetime të përbashkëta. Ambasada falënderon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Policisë Kriminale Neritan Nallbati, kreun e Prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, prokuroren e çështjes Eloida Goxhi dhe oficerët e Policisë së Shtetit për ndihmën e dhënë për këtë çështje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




