Ngjarje

Skema, 11 mln veshje anti-Covid u prodhuan ilegalisht në Shqipëri për t’i çuar në Itali

Gazeta Si – Njëmbëdhjetë milionë veshje shëndetësore anti-Covid janë prodhuar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri për të furnizuar tregun në Itali gjatë kohës së pandemisë.

Mediat italiane, shkruajnë se vëllezërit Samuele dhe Massimiliano Piccolo, ishin përgjegjësit e grupit “GAP” me seli në Romë,  i cili në nëntor 2020 kishte fituar tenderin nga komisari i jashtëzakonshëm për emergjencën pandemike në shtetin fqinj për prodhimin e 11 milionë kostumeve një përdorimshe shëndetësore anti-Covid.

Ata kanë përfunduar në burg me akuzën e mashtrimit dhe përvetësimin në furnizime publike.

Sipas Gjykatës së Pratos, e cila urdhëroi arrestimin e tyre, dy vëllezërit  ishin “pronarët aktualë” të Konsorciumit Gap, me qendër në Romë, por pronare ishte Cristiana Ferraciula, një shtëpiake nga Ladispoli dhe e vënë nën hetim.

Deri më 23 shkurt 2021, aksionerja e vetme e “GAP” ishte Laura Tamburelli, gruaja e Samuele Piccolo.

Janë 32 persona të vënë nën hetim dhe këtij konsorciumi i janë sekuestruar rreth 43.2 milionë euro pasuri.

Sipas Prokurorisë Publike, veshjet prodhoheshin me pëlhura të tjera, ndryshe nga ato të certifikuara dhe, megjithëse Konsorciumi Gap ishte i lidhur kontraktualisht me “Made in Italy”, ata i kishin prodhuar në Shqipëri.

Përpara importimit të tyre në Itali, u hiqnin etiketat, për të mos pasur dijeni për shkeljen e kontratës.

1,918,000 uniforma mjekësore përfunduan në ASL Roma 2, me çmimin 6,10 euro secila.

Nga e-mailet e sekuestruara nga policia, doli se të gjitha komunikimet më të rëndësishme (si p.sh. oferta dërguar Invitalia ” për dhënien e kontratës), ishin përcjellë në llogaritë personale të vëllezërve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë