Shendet

Skandali tek Onkologjiku / Zinxhiri ku ndodhin abuzimet me pacientët dhe ku çalon sistemi shëndetësor

Nga Gazeta Si - Një hetim i Prokurorisë së Tiranës ka arritur të zbulojë një skemë se si mjekë të spitalit të Onkologjikut shpërdoronin detyrën, duke lënë aparatura qëllimisht jashtë funksioni dhe duke i orientuar pacientët te privati.

Si funksionon zinxhiri i kontrolleve për tumoret në sistemin e referimit dhe përse krijohen hendeqe për abuzime?

Të pyetur nga Gazetasi.al, mjekë të familjes shpjegojnë se në momentin kur pacienti mund të konstatojë vetë një shenjë të pranisë së masës në gjoks, ato paraqiten tek mjeku i familjes ku kryejnë vizitën e parë.

‘Ne rekomandojmë online menjëherë ekografi mamarie bilaterale, të përcaktuara me ditë dhe orën ekzakte të vizitës. Pas daljes së përgjigjes, bëhet vizita tek onkologu dhe kirurgu për të parë natyrën e masës si dhe kryhen analiza gjaku. Po përmes sistemit online, ne i pajisim pacientët me rekomandim në konsultën e QSUT për të bërë vizitën specifike. Është kjo konsultë që cakton ditën dhe orën e ndërhyrjes kirurgjikale dhe analizat shtesë që bëhen pa pritje në ambulator.

Më pas hiqet masa, bëhet biopsia dhe pasi merret përgjigja, vendoset nga mjeku specialist terapia.

Më pas, pas ndjekjes së protokollit të mjekimit në QSUT tek spitali onkologjik, pas mbylljes së gjithë ciklit të trajtimit, ndiqet nga mjeku i familjes me rekomandime 3 -6 mujore sipas orientimit tek onkologu specialist, në poliklinikën e specialiteteve dhe nga aty në QSUT nëse shihet e arsyeshme”, shpjegojnë mjekët e përgjithshëm.

Por ku çalon sistemi ynë shëndetësor? Tek pritjet e gjata!

Burime për Gazetasi.al shpjegojnë se për të bërë një eko gjiri në sistemin publik, duhet të pritet minimumi 1 muaj, sepse nuk ka fasha të shpejta. Nëse hyn sot në sistem, fasha më e afërt është dhjetori, për shkak të kërkesave të larta nga të gjitha rrethet.

Burimet thonë se pjesa më e madhe e pacientëve, të gjendur në panik prej shenjave që kanë zbuluar, shkojnë direkt në QSUT, spitali onkologjik ku bien viktimë e mjekëve dhe infermierëve sekserë.

“Vitet e fundit, në spitalin onkologjik u vendos një rregullore e brendshme ku për çdo shef shërbimi do të kishte një koordinator që organizonte pacientët duke i orientuar për vizitat me mjekun përkatës. Një nga emrat e dalë në përgjimet e prokurorisë, është i njohur për mua, sepse ai më dërgoi tek mjekja onkologe me të cilën kisha lënë vizitën time rutinë’, thotë një paciente që ka kryer ekon e gjirit tek spitali onkologjik, për shkak të disa masave dyshuese për tumor që kishte konstatuar vetë.

Sipas burimeve, nëse pacientët drejtohen vetë në Onkologjik pa respektuar sistemin e referimit, ata janë më të ekspozuar të bien pre e ‘sekserëve’ që mezi presin viktimën e radhës.

Madje, burimet thonë për Gazetasi.al se ka patur dhe nga ata pacientë që të frikësuar kanë kontaktuar mjekë të spitalit onkologjik të cilët më pas i kanë transferuar në klinikën private, dhe bëhet fjalë për kirurgun Edmond Gashi.

“70-vjeçarja u amputua nga gjiri, duke patur si dyshim vetëm një masë. Bëhet fjalë për 3 vite më parë kur pacientja me iniciale L. konstatoi se në njërin gjok kishte disa gjendra dhe e shqetësuar kërkoi një kontakt kirurgu onkolog. Miqtë i referuan Gashin si mjek me reputacion të mirë. Dhe më pas gjithçka ishte ferr për te. Mjeku i hoqi njërin gji, gjatë operimit diçka shkoi keq dhe ajo sot ka të enjtur njërin krah, ndërkohë që pas operimit u bombardua dhe me rreze. Nëse do ndiqej si duhet me sistem referimi, nga mjeku i familjes tek onkologu ndoshta gjërat nuk do të shkonin kështu. Por që nga ekzaminimi i gjirit dhe deri te analizat e markuesit tumoral, pacienti duhet ti paguajë në privat, pasi sistemi publik nuk ofron shërbim”, thonë burimet për Gazetasi.al.

Një ditë pas megaskandalit që bëri bujë ku nga përgjimet u zbulua skema abuzive me pacientët me tumor, drejtoria e QSUT ka marrë masa për zëvendësimin e kirurgut Edmond Gashi dhe Alketa Ymeri.

Burime konfidenciale nga QSUT i thanë Gazetasi.al se dy mjekët në fjalë janë zëvendësuar dhe procedurat vijojnë rutinë në pavione.

Burimet nuk konfirmuan mjekët përkatës që do të zëvendësojnë kolegët e tyre ndaj të cilëve ka nisur hetim nga prokuroria e njëkohësisht dhe hetim administrativ nga ministria e Shëndetësisë, sipas deklaratës së ministres Albana Koçiu sot pas mbledhjes së qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë