Ngjarje

Skandali tek Onkologjiku/ Rama reagon për herë të parë: Të kuptueshme thirrjet për ‘pushkatim’, gjykata mos të korruptohet

Nga Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas skandalit tek Onkologjiku, duke thënë se përdorimi i uniformave për të nxjerrë para me gjakun e të sëmurëve është një krim kundër njerëzimit.

“Është një moment i errët për komunitetin e bluzave të bardha. Ajo që ndodhi në Onkologjik ishte një krim kundër njerëzimit, kundër njerëzores. Është e mirëkuptueshme edhe klithma për pushkatim që u bë, është normale që në këtë dhimbje për viktimat e këtij abuzimi të ketë reagime të tilla”, tha Rama, duke shtuar se gjithashtu janë të zakonshme akuzat e sajesat nga ana e atyre që “në shpirtin katran dhe me mendjen sahan i gëzon këtyre rasteve për lojën me nervat e njerëzve, edhe duke kërkuar dorëheqjen e Ministres së Shëndetësisë”.

“Duhet adresim problematikave dhe jo reagim emocional me pushkatim imagjinar dhe dorëheqje irracionale”.

Rama bëri edhe një thirrje për Gjykatën e Tiranës që po ndjek skandalin e Onkologjikut.

“Drejtësia e bëri punën e vet dhe kjo është e mira e vetme e kësaj të keqe tronditëse që doli në pah në shëmtinë e tmerrshme, i përgëzoj prokurorët dhe i bëj thirrje gjykatëseve të mos lejojnë banalizimin e asaj veprimtarie kriminale, siç ka ndodhur në të kaluarën që gjykatës kanë ngrënë turpin me ryshfet që kanë lënë të lirë vrasës që duhet të ishin në burg”, tha Rama.

Deri më tani, Gjykata ka vendosur masën “arrest shtëpie” për mjekun Edmond Gashi dhe farmacistin Florian Marku ndërkohë 5 të akuzuarit e tjerë është dhënë masa “detyrim për t’u paraqitur”.

Rama tha se një grup menaxherësh të huaj do të vijnë për të asistuar drejtuesit e shërbimeve, që të garantohet hapja e kapitullit të autonomisë spitalore, për të shpërblyer mjekët sipas meritës.

Pas kësaj, Rama u tha mjekëve se spitalet nuk janë bërë me lekët e tyre por me taksat e qytetarëve.

“Pacientët bashkë me qytetarët që paguajnë taksa kanë bërë që pagat tuaja të jenë më mirë se dje. Kush e harron këtë hyn në gjynah nëse nuk sillet si shërbëtor me pacientët”, tha Rama.

Rama përmendi edhe rastin e infermieres që në kohën e pandemisë u merrte para familjarëve të pacientëve, duke thënë se edhe në kohë paniku për botën, mjaftoi ekspozimi i infermieres për të prekur nervin e njerëzve.

“Një ‘Tixhe’ rrëzoi përtokë gjithë sakrificat deri sublime të atyre që nuk shkonin më as në shtëpi por ishin në spital 24 orë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë