Ngjarje

Skandali te Onkologjiku, qytetarët protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë: Të neveritshëm! (Foto)

Gazeta Si - Dhjetëra qytetarët janë mbledhur pasditen e kësaj të mërkure në shenjë proteste para Ministrisë së Shëndetësisë, pas skandalit në repartin Onkologjik pranë QSUT-së, ku u zbulua se pacientëve të diagnostikuar me tumor nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe më pas drejtoheshin në klinika private.

“Ç’u bë me Betimin e Hipokratit”, ishte një prej pankartave që mbanin në duar qytetarët para ministrisë, ndërsa kanë bërë thirrje që hetimet për këtë rast të vazhdojnë.

“Ministria e Vdekjes”, “QSUT = Ali Baba dhe 40 hajdutë”, “Onkologjiku ofron paketa turistike”, “Jam këtu për ata që paguan Maldivet tuaja me ditët e tyre të fundit! O të neveritshëm”, ishin disa nga pankartat e qytetarëve në protestë.

Nga hetimet gjithashtu janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Në skemën abuzive, sipas prokurorisë Tiranë, janë përfshirë funksionarë dhe mjekë, ndërsa të martën u lëshuan disa masa sigurimi personal me “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitjeje” për ta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë