Nga Gazeta Si – Rrallë është vendosur nga akti mjeko-ligjor se një të burgosuri i rrezikohet jeta, akt që i siguron menjëherë lirinë, duke ‘zhveshur’ nga roli edhe Gjykatën. Në anonimitet për Gazetasi.al, një avokate e cila ka qenë më parë pjesë e Institutit të Mjekësisë Ligjore që harton raportet mjeko-ligjore për të burgosurit, ka treguar gjithë rrugën (e shkurtër) që ndjek një i burgosur për t’u liruar nga burgu me anë të një akti mjeko-ligjor.
Dhe nga këto rastet e rralla ka qenë edhe rasti i Nuredin Dumanit i cili ditën e djeshme ka deklaruar se në 2014 (i arrestuar për pengmarrje) është liruar nga burgu pasi ka arritur të sigurojë një raport ku thuhej se kishte vetëm 3 muaj jetë për shkak të një problemi me zemrën.
LEXO EDHE:
– Deklaratat e Nuredin Dumanit, reagon ish-ministri Nasip Naço: Distancohem! Organet e drejtësisë të hetojnë
– Nuredin Dumani rrëfehet në gjyq: Më ndihmoi të dilja nga burgu dhëndri i vëllait të ish-ministrit Nasip Naço
Avokatja sqaron se në momentin që pala e akuzuar pretendon se i rrezikohet jeta dhe shëndeti në burg dhe nuk ka kushte të përshtatshme shëndetësore, i duhet ta provojë përmes një aktekspertize, me anë të avokatit.
Përfaqësuesi i të burgosurit, avokati Alban Bengasi në rastin e Dumanit, kërkon në Gjykatë që i burgosuri t’i nënshtrohet një aktekspertize.
Pasi merret vendimi për t’ju nënshtruar këtij akti ekspertimi, caktohet një ekip mjeko-ligjor.
Është një komision prej 3 ekspertësh që janë të diplomuar në mjekësi dhe në drejtësi dhe presin raportin për ta shqyrtuar.
Avokatja sqaron për Gazetasi.al se mjekësia ligjore bazohet në të dhënat dhe që mjekësia ligjore të përpunojë një aktekspertimi duhet që të kenë një dosje që niset që nga mjeku i burgut.
Mjeku i burgut viziton të burgosurin dhe në bazë të shqetësimeve që ai sheh, vendos nëse i burgosuri ka nevojë për vizita të mëtejshme.
Në rastin e Dumanit, mjeku i burgut e ka dërguar atë tek një kardiolog.
Mbetet e paqartë nëse kardiologu i burgut është mjaftuar me analizat e tij apo nëse ka kërkuar që Dumani t’u nënshtrohet analizave të mëtejshme në spitalet shtetërore.
Mjekët tregojnë për Gazetasi.al se për të vendosur që një person ka vetëm 3 muaj jetë duhet të jenë probleme shumë specifike me zemrën siç janë insuficienca kardiake, kardiomiopatia hipertensive apo aritmia ventrikulare.
Gjithsesi, shpjegon avokatja, një mjek mund dhe të shkruajë në raport se gjendja shëndetësore e të burgosurit është e pastabilizuar dhe nuk e lejon qëndrimin e tij në kushtet e paraburgimit.
Më tej, avokatja tregon se mjekësia ligjore vetëm shqyrton dosjen që është përpunuar nga mjeku i burgut dhe mjeku ekspert, kardiologu në rastin e Dumanit.
“Ata vendosin nga shqyrtimet e dosjes, deklaratat e kardiologut, mjekut të burgut, epikriza. Ekspertët mjeko-ligjorë nuk bëjnë vizita, në raste të rralla kërkojnë analiza të mëtejshme apo që të marrin në pyetje të burgosurin, më shumë rreth sëmundjes. Ata thjeshtë shqyrtojnë dosjen që kanë në tavolinë për të vendosur nëse personi mund ta përballojë burgun apo jo, nëse ka gjendje shëndetësore që e përballon burgun apo jo, pra vendosin mbi bazën e asaj që lexojnë”, shpjegon avokatja.
Së fundmi, komisioni harton një akt që shkon në gjykatë dhe është deciziv.
“Pasi komisioni e çon vendimin në gjykatë, asaj nuk mbetet tjetër vetëm ta konfirmojë vendimin, praktikisht është vetëm formalitet pasi kjo dosje shkon përtej njohurive të tyre”.
Avokatja tregon se në vendin tonë, rrallë herë është vendosur nga mjekët e burgut dhe akti mjeko-ligjor për një të burgosur që i rrezikohet jeta, edhe në rastet kur i burgosuri ka qenë vërtetë në gjendje të rëndë, çka mbështet edhe deklaratën e Dumanit i cili tha se ka paguar 40 mijë euro për lirimin e tij.
Një problematikë e madhe është se nëse vendimi për lirimin është marrë në kushtet e “i burgosuri ka vetëm 3 muaj jetë”, çfarë ndodh me mjekët që kanë firmosur këtë vendim?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.