Drejtësia

Skandali në zyrën e Gjicit, ish-kryebashkiaku i Kukësit kërkon pafajësinë: Video e paguar nga rivali im politik

Gazeta Si - Ish kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici ka kërkuar pafajësinë në gjykatë, ku në seancën gjyqësore këtë të mërkurë pretendoi se videon intime me Alma Kaçin e ka paguar kundërshtari i tij politik, Abedin Uruçi.

Ky i fundit është ish-kreu i këshillit të qarkut të Kukësit. Teksa pretendon se Oruçi i publikoi videon, Gjici shprehet se me të ka pasur edhe përplasje fizike.

Gjici u përlot në gjykatë në momentin që kërkoi ndjesë për familjarët për atë që kishte ndodhur. Sipas Gjicit, konflikti mes tij dhe Abedin Uruçit ka nisur për shkak të rrethimit të një prone që në të vërtetë ishte pjesë e bashkisë.

Teksa i kërkoi falje familjarëve të tij dhe banorëve të Kukësit, Gjici tha se nuk ka shkelur ligjin, por etikën.

“Kjo është një hakmarrje personale e Abedin Urucit, sepse unë i pamundësova për të marrë ca prona të bashkisë të zaptuara kur erdha në krye të bashkisë. Unë kam shkelur vetëm etikën. Nuk kam shkelur asnjë nen asnjë ligj. Kërkoj të shpallem i pafajshëm. Videon e ka paguar kundërshtari im politik Uruci. Edhe sot them si la mundësi qe rashë pre e atij provokimi. U kërkoj falje familjarëve" - është shprehur Gjici.

Gjici i tha gjykatës se është i pa fajshëm dhe kërkoi lirimin nga qelia. Sipas Gjicit, Uruçi ka paguar Alma Kacin për ta futur atë në kurth me qëllim që të humbiste postin e kryetërit të Bashkisë.

Safet Gjici akuzohet nga SPAK për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”.

Në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.

Sipas mbrojtjes, prokuroria nuk ka gjetur paisjen origjinale me të cilën është bërë regjistrimi sepse në bazë të aktekspertimit të kartës së memories që u gjet në gotë me të cilën dyshohet se u bë regjistrimi nuk rezulton që të jetë e regjistuar aty.

Pamjet janë gjetur tek një USB në banesën e Kaçit. Po ashtu, njohja mes Abedinit dhe Almës është e hershme dhe ata kanë folur vazhdimisht me njëri-tjetrin në lidhje me këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë