Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë në 24 qershor dhënien e vendimit për çështjen penale ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Kukës, Safet Gjici dhe të bashkëpandehurës Alma Kaçi.
Në senacën e sotme (20 qershor 2024), prokurorja ka kërkuar dënimin e tij me 4 vite e 6 muaj burg dhe Alma Kaçin mbi akuzën e korrupsionit altiv me 1 vit e 5 muaj burg. Ankimi u bë në Apel edhe nga SPAK, edhe nga të pandehurit.
Të dy përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. SPAK nuk ishte dakord me ndryshimin e akuzës dhe uljen e dënimit që u bë nga Gjykata e Shkallës së parë, ndërsa avokati i Safet Gjicit kërkoi pafajësi.
Alma Kaçi nuk u paraqit as në këtë seancë, gjithashtu as avokatja e saj mbrojtëse. Në këto kushte gjykata caktoi një avokat kryesisht, Arben Peci, i cili kërkoi pafajësi.
Gjici është dënuar nga Shkalla e Parë për shpërdorim detyre me 2 vite burg, ndërsa Kaçi, e cila shfaqet në një video intime me Gjicin, u gjet fajtore për akuzën e prostitucionit dhe u dënua me 1 vit heqje lirie.
Përveç dënimit, Gjykata e Posaçme Antikorrupsion i hoqi Gjicit të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Më 16 qershor 2023, Gjici u shfaq në një video të publikuar online duke kryer marrëdhënie seksuale me Kaçin në zyrën e tij në Bashkinë e Kukësit.
Më vonë, u publikua një tjetër fragment i asaj videoje, ku Gjici diskutonte me vajzën në fjalë për mundësinë e akordimit të saj të një tenderi për menaxhimin e qenve endacakë të qytetit të Kukësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.