Gazeta Si – Një skandal i përmasave të mëdha rrezikon të përfshijë Federatën Spanjolle të Futbollit. Gazeta online “El Confidencial“ ka pasur akses te disa dokumente të marra nga federata e drejtuar nga Luis Rubiales, që zbulojnë akordin mes tij dhe “Kosmos Holding”, kompanisë së lojtarit të Barcelonës Zherard Pike, për ta çuar Superkupën e Spanjës në Arabinë Saudite, një biznes që sjell të ardhura të mëdha.
Ka materiale audio, e-maile dhe dokumente, që nuk lënë shumë vend për imagjinatë. Javën e kaluar federata bëri me dije se kishte rrjedhje të një materiali konfidencial dhe se një gazetë e kishte kontaktuar për të thënë se e zotëronte atë material dhe se do ta publikonte. Dhe kështu ndodhi. Publikimi do të vazhdojë dhe javën që të çon në finalen e Kupës së Mbretit, e organizuar nga federata, pozicioni i Rubialesit duket në rrezik të madh.

Në fund të 2018-ës Pike i propozoi Rubialesit ta zgjeronte Superkupën e Spanjës në 4 skuadra, 2 të parave të La Ligës dhe finalistëve të Kupës së Mbretit, për të pasur një kontratë televizive më të mirë. Rubiales pranoi dhe filloi të kërkonte stadiumin, fillimisht në Spanjë, por Pike i tha se njerëzit e tij kishin mundësi ta çonin këtë turne në Arabinë Saudite.
Real Madrid tha “Jo” për “Bernabeun” dhe se, nëse do të dilej jashtë territorit spanjoll, nuk do ta bënte për më pak se 8 milionë euro. U saktësuan shifrat më pas: 8 milionë për Realin dhe Barcelonën, 2 për Atletikon dhe 1 për Valencian. Dhe 4 milionë euro për “Kosmos”, për secilin nga 6 vitet që turneu do të zhvillohej në Arabinë Saudite. Këto detaje dalin nga një mesazh audio që Pike i dërgon Rubialesit.
Për federatën do të shkonin minimalisht 6 milionë euro. Ky është një detaj i rëndësishëm, sepse kontrata e Rubialesit ka një pjesë fikse dhe një tjetër variabël në lidhje me të ardhurat e institucionit që drejton. Në gusht të 2019-ës akordi ishte gati, por Rubiales pati frikë për pasoja, duke qenë se bëhet fjalë për një vend si Arabia Saudite, ku gratë janë të diskriminuara dhe që ka dënimin me vdekje.

Pike e bindi presidentin se ishte më keq, nëse kthehej prapa. Më pas erdhi firma dhe presidenti i dërgoi një mesazh triumfues lojtarit të Barcelonës. Rubiales po ashtu ndërhyri për të zhbllokuar pagesën e “Kosmos”. Po në 2019-ën, Andorrës, skuadrës së Pike, iu dha një vend në Segunda B, i lënë bosh nga Reus. Skuadra e Pike kaloi kështu nga kategoria e 5-të në të 3-ën.
Sipas asaj që zbulon “Confidencial”, federata mbylli një kontratë me 40 milionë euro në sezon, shumë më shumë se 25 milionë eurot e përmendura fillimisht. Një shifër që ka pasur një efekt të rëndësishëm në pagën e presidentit, që tani duhet të mbrohet nga akuzat e rënda, në pritje të publikimit të dokumenteve të reja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




