Gazeta Si – Një skandal bastesh ka përfshirë futbollin kosovar. Shtypi francez, konkretisht ‘Le Figaro’ dhe AFP kanë bërë me dije se janë të paktën katër ndeshjet e kampionatit kosovar që deshohet se janë manipuluar për të përfituar në baste. Lajmi është përhapur menjëherë.
Nga operacioni që autoritetet franceze kanë kryer, është zbuluar se janë përfituar nga bastet 360 mijë euro dhe për këtë janë ndaluar 9 persona në Francë. Bastet janë vendosur në Francë dhe në Kosovë. Një goditje e madhe kjo për futbollin kosovar. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka deklaruar se nuk ka dijeni për hetimin në fjalë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi edhe në Kosovë. Prokuroria dhe Policia e Kosovës janë vënë në lëvizje për hetimin e skandalit të kurdisjeve në futbollin kosovar.
Në qendër të ndeshjeve të manipuluara, gjithmonë sipas shtypit francez, dyshohet se është klubi i Llapit. Dyshimet kanë lindur nga lëvizja e pazakontë e kuotave në kompanitë e basteve dhe gjatë muajve të fundit është kryer ky hetim. Nga sa mësohet, edhe në Kosovë janë ndaluar 4 persona që dyshohet se kanë lidhje me këtë skandal.
Klubi i Llapit ka reaguar zyrtarisht me një komunikatë, ku hedh poshtë çdo akuzë për përfshirje në kurdisje ndeshjesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



