Nga Gazeta ‘SI’ - Banka e Shqipërisë i është përgjigjur kërkesës së deputetëve për të raportuar në komision, mbi problemin e mikrokredive, që ka prekur mijëra qytetarë shqiptarë.
Guvernatori Gent Sejko, mohoi dijeninë për mashtrim financiar nga ana e Micro Credit Albania, por tha se janë parë rreziqe të tjera si likuiditeti, transparenca, raportimi dhe prandaj ndodhi edhe revokimi. Ai tha se nëse ka mashtrim financiar duhet ta vendosë Prokuroria e jo Banka.
Sejko ripërsëriti se pasi një subjekti financiar i revokohet licenca (rasti i MicroCredit) ai nuk është më nën juridiksionin e Bankës së Shqipërisë, pasi kjo është masa më e rëndë që BSH mund të marrë.
Guvernatori u shpreh se pas këtij hapi, kreditë janë pjesë e përmbarimit.
“Përmbarimi nuk mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë dhe nuk e ka tagrin të ndalojë ekzekutimet përmbarimore. Ankandi, sekuestrimi etj është jashtë kompetencës së BSH-së. Në regjistrin e MCA janë rreth 16 mijë kredimarrës dhe 90% prej tyre janë në një proces përmbarimor”, tregoi Guvernatori Sejko.
Lidhur me reagimin e vonuar të Bankës së Shqipërisë për t’i revokuar licencën këtij subjekti, Sejko tha se u bë vetëm për të mbrojtur klientët. Madje ai shtoi se ndoshta revokimi e përkeqësoi situatën.
“Ne i lamë kohë pas pezullimit të licencës të pastronte portofolin, të ulte detyrimet, por të mos blinte më portofol të ri. Revokimi nuk do ta zgjidhte problemin sepse do t’i linte klientët në dorë të përmbarimit dhe ne donim t’i mbanim klientët sa më gjatë në mbikëqyrjen tonë. Në fund të 2023-shit ne vumë re devijanca dhe vendosëm revokimin”, shpjegoi Guvernatori Sejko duke theksuar se MCA ka qenë e licencuar për të blerë borxhin e keq.
Pyetur nga deputetët se pse norma e interesit së kredive të këqija ka ndryshuar nga marrëveshja fillestare, Guvernatori shpjegoi se ka ndodhur për shkak të penaliteteve të mospagesave nga klientët.
“Shumë klientë nuk i kanë marrë seriozisht njoftimet nga kompania e mbledhjeve të borxheve. Ata kanë qenë joperformues si kredimarrës. Edhe pas njoftimit vijojnë të rriten penalitetet dhe kostot. Çdo shpenzim i shoqërisë i ngarkohet klientit. Në pamundësi të larjes së kredisë, klientit i sekuestrohen asetet. Klientët kanë rënë dakord me kushtet e kredisë. Norma e interesit nuk i ka vrarë klientët, por penaliteti që vendoset në mënyrë ditore. Me shtesën e penalitetit, shuma e detyrimit shkon disafish. Disa nga kreditë janë të vjetra dhe nuk janë paguar. Kur janë shitur janë shitur me normën e interesit për 5-10 vite mospagesë dhe është rritur. Kompania e ka blerë në shumën totale kredinë”, sqaron Guvernatori Sejko duke shtuar se të gjitha kufizimet që BSH ofron janë në formën e rregulloreve dhe se është e nevojshme të parashtrohen në një ligj.
Ndër të tjera, kreu i Bankës së Shqipërisë tha se ai nuk është marrë asnjëherë në pyetje nga organet e drejtësie.
Deputeti Agron Shehaj, pjesë e komisionit akuzoi Guvernatorin për raportim të rremë, duke thënë se MCA ka qenë e licencuar për huadhënie e jo blerje borxhesh. Shehaj e quan skemën një mashtrim financiar i niveleve të larta.
“Në të njëjtin subjekt ju keni përqendruar veprimtarinë e mikrokredisë, blerjen e kredive të këqija, dhe aty pastaj kanë futur dhe përmbaruesin dhe kjo ka krijuar kushtet që të ndodhë ky mashtrim financiar që ka kapur peng 100 mijë qytetarë shqiptarë sot”, iu drejtua ai Sejkos duke theksuar se u la me dijeni që kjo kompani të vazhdonte punën kriminale dhe për 4 vite të tjera.
Guvernatori i quajti opinione pyetjet e deputetit dhe tha se ai kishte zbatuar të gjitha detyrimet e tij ligjore dhe rregullative.
“Mashtrim financiar nuk e them dot unë, e thotë prokuroria dhe unë pres të ma thotë prokuroria”, duke iu referuar një shkrese të 2022 me të cilën ai tha se ka kërkuar informacion nga organi hetimor.
“Kam marrë përgjigje se nuk ka pasur hetim financiar, megjithatë banka ka ndërmarrë masat e saj”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.