Kryeministri Edi Rama ka folur për skandalin e publikimit të pagave të shqiptarëve, në një aktivitet ku u firmos marrëveshja për forcimin e sigurisë së sistemeve digjitale në vend.
“Para pak kohe ne patëm një ngjarje të rëndë, rrjedhjen e disa të dhënave personale që lidhen me pagat e shqiptarëve. Një ngjarje që ka ndodhur në të gjithë vendet e zhvilluara, por që na jep edhe mësimin se nuk janë vetëm sulmet anonime kibernetike që ne duhet të jemi të mbrojtur, por janë edhe sulmet nga brenda prej personave të infiltruar dhe të paguar qoftë dhe të papërgjegjshëm. Prandaj unë vlerësoj marrëveshjen për garancinë se kapaciteti dëmprurës i individëve do të jetë shumë më i reduktuar dhe një sistem i tërë i rritjes së cilësisë së burimeve njerëzore do të jetë në funksion. Do të jenë në funksion edhe programe të posaçme për të siguruar se aftësia e cdo individi për ta penetruar sistemin do të jetë e kufizuar”, tha ai.
Rama nënvizoi se, “dalja e të dhënave personale për pagat, ishte një e keqe që nuk erdhi vetëm për keq”
“Të gjithë shqiptarët panë një problem që sot e kemi më të lehtë se dje që ta adresojmë në aspektin e marrëdhënies ligjore të shumë punëdhënësve. Ashtu sikundër shumë qytetarë përjetuan efektet negative të një sulmi mbi sistemin, çka e bën marrëveshjen e sotme edhe më të mirëseardhur”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.