Nga Gazeta ‘SI’ – Ministria e Drejtësisë ka propozuar disa ndryshime në ligjin e përmbaruesve gjyqësorë, pas rasteve të shumta të abuzimeve dhe shkeljeve.
Në një draft për konsultim, Drejtësia thotë se edhe pse urdhri i ministrit të Drejtësisë është titull ekzekutiv, në rastet e heqjes së licencave të përmbaruesve nuk ka qenë efektiv.
Në të gjitha rastet kur një përmbaruesi i është hequr licenca, ministria e Drejtësisë nuk ka marrë në dorëzim dosjet/çështjet aktive dhe arkivin e tyre përmbarimor, duke shkaktuar pasoja të rënda tek palët e këtyre proceseve përmbarimore, si në rastin e debitorëve (sekuestro të mbetura efektive) ashtu edhe të kreditorëve, të cilëve u janë cenuar interesat me mosvijimin e veprimeve procedurale të lëna në mes, apo rifillimin e tyre nga subjektet përmbarimore që janë aktive.
Qeveria vlerëson se kjo situatë është problematike dhe i shkakton dëm direkt për qytetarët që kanë dosjet për ekzekutim pranë këtyre përmbaruesve dhe sugjeron ndjekjen me rrugë penale.
“Kushdo që nuk pranon të dorëzojë vulën, dokumentin identifikues të përmbaruesit, dosjet dhe arkivin, do të duhet të përballet me përgjegjësinë penale dhe organet e rendit publik që sigurojnë marrjen e dokumentacionit përmbarimor, forcërisht. Nisur nga problematikat e konstatuara me herët, pas heqjes/pezullimit të certifikatës së ushtrimit të veprimtarisë përmbarimore gjyqësore private, faktin që rezulton që për katër përmbarues ndaj të cilëve është marrë masa e heqjes së certifikatës së ushtrimit të veprimtarisë përmbarimore gjyqësore private dhe asnjëri nuk ka dorëzuar akoma arkivin, si dhe faktin që dosjet përmbarimore janë tepër voluminoze për tu administruar nga struktura përgjegjëse apo sektori i arkivë/protokollit”, thuhet në dokument.
Drafti propozon që pas heqjes së licencës së një përmbaruesi, duhet të zëvendësohet me një tjetër, nga lista e atyre privatë dhe në mungesë të tyre mund të futen ato privatë.
Ndryshimet në ligj vijnë pak muaj pas zbulimit të një skeme mashtrimi të mikrokredive në bashkëpunim me zyrat e përmbarimit, të cilët sekuestruan mbi 1.700 prona të debitorëve në mikrokredi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.