Nga Gazeta Si – Mandarinat me pesticide që u kthyen nga Kroacia nuk janë asgjësuar, siç u tha nga Ministria e Bujqësisë por kanë dalë në treg duke iu shitur qytetarëve.
Këtë të mërkurë, Prokuroria e Beratit njoftoi se mbi 21 ton mandarina të kthyera nga Kroacia në dhjetor të 2024, në të vërtetë kanë dalë në treg nga administratori i pikës së grumbullimit, Arben Dyli.
Gjithashtu dyshohet se Elson Tahiraj, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve ka lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme ndër të cilat dhe subjekti i Arben Dylit.
Në dhjetor të 2024, Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqim dhe për Ushqim për Kafshë, RASFF njoftoi se 3 ngarkesa me mandarina janë kthyer mbrapsht në Shqipëri pasi kishin përmbajtje të lartë të pesticideve të dëmshme për shëndetin.
Pasi lajmi u bë mediatik, Ministria e Bujqësisë doli me një njoftim, duke thënë se dy nga ngarkesat e kthyera janë asgjësuar nga fermerët në Berat dhe Fier ndërsa tjetra pritej të asgjësohej, veprime që sot u zbulua se nuk janë ndërmarrë.
Konkretisht, bëhej fjalë për tre ngarkesa me Mandarina clementine, të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier.
Nga ana tjetër, vetë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural nxiti asokohe konsumimin e produkteve shqiptare.
“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nxit konsumin e produkteve shqiptare për festat e fundvitit dhe në vazhdim”, tha Ministria.
Edhe pse alarmi u dha nga sistemi i BE për sigurinë ushqimore, Ministria e quajti këtë ngjarje si një ‘debat mediatik për situatën e cilësisë dhe sigurisë së mandarinave shqiptare”, duke i humbur rëndësinë.
Më herët, eksperti i bujqësisë Ervin Resuli është shprehur se në raste të tilla, askush nuk të siguron nëse vërtetë është asgjësuar prodhimi.
“Ngarkesat e bllokuara nga BE tregojnë se këto pesticide ende qarkullojnë dhe përdoren në vend. Tregtarët dhe fermerët vazhdojnë të përdorin produkte të ndaluara, duke rrezikuar shëndetin publik dhe reputacionin e eksporteve shqiptare”, tha Resuli, duke ngritur edhe shqetësimin se nuk dihet nëse produktet janë bllokuar dhe groposur, apo kanë përfunduar në tavolinat e qytetarëve shqiptarë.
“Ministria thotë se ia ka dërguar fermerëve për vetëshkatërrim dhe nuk ka bërë publik procesin e shkatërrimit, probabiliti është i lartë që të jenë injektuar në tregun e brendshëm. Nuk them dot a janë konsumuar, por sjellja na lë të aludojmë dhe dyshojmë”, tha Resuli, dyshim që Prokuroria e vërtetoi sot.
Por, edhe pse eksperti foli disa herë për këtë skandal, duke e cilësuar si një alarm për shëndetin e qytetarëve, Ministria në asnjë moment nuk reagoi për të hedhur poshtë shqetësimin e ekspertëve.
Marifetet me autokontrollin për të eksportuar produkte me pesticide
Ervin Resuli, në një komunikim me Gazetasi.al, ai shpjegoi se si mund të devijojë procesi i autokontrollit, duke nxjerrë në treg më pas produkte të kontaminuara, me qëllim përfitimi.
“Procedura e autokontrollit bëhet nga vetë subjekti që dërgon produkte jashtë Shqipërisë dhe përgjegjësia është tërësisht individuale. Problemi është se për autokontroll, që kryhet në laboratorin e brendshëm apo në rajon, mund të dërgohet një mostër e pastër, ndërkohë që sasia në kamion mund të jetë e kontaminuar. Marr fletë e analizës dhe iki”, deklaron eksperti.
Sipas tij, plani kombëtar i ministrisë së Bujqësisë për monitorim të mostrave nuk është intensiv, duke mos garantuar kështu cilësi në produktet e tregtuara.
“Ministria e Bujqësisë ka një plan kombëtar të monitorimit të mostrave, por merr vetëm një herë. Mostrat duhet të katërfishohen. Duhet të merren gjatë të gjithë sezonit, ë fillim, në mes dhe në fund të kultivimit”, sugjeron Resuli.
Duke marrë në shembull Italinë, ku një prodhues mund të humbasë përjetë licencën nëse produkti i tij rezulton i kontaminuar, Resuli sugjeron ashpërsim të masave dhe rikujton se Kodi Penal parashikon burg për produktet jashtë standardit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.