Gjigandi botëror i auditimit Ernst & Young (EY) është në një situatë shumë të komplikuar nga skandali i falimentimit të kompanisë gjermane të pagesave në internet Wirecard, për shkak të mangësive të saj në verifikimin e llogarive.
Tashmë janë ngritur padi gjyqësore kundër konsulencës dhe auditimit të EY, pas falimentimit javën e kaluar të ofruesit të pagesave elektronike, i cili punëson 6.000 persona.
Shoqata gjermane e aksionarëve SdK ngriti një padi penale kundër dy auditorëve aktualë dhe një ish-audituesi të EY në Gjermani.
Wirecard, një kompani e regjistruar në bursën e Frankfurtit dhe e paraqitur për falimentim ditën e enjte, dyshohet se ka fryrë llogaritë e saj me fondet fiktive në Filipine në vlerë prej 1.9 miliardë eurosh.
Ministri gjerman i financave, Olaf Scholz e quajti këtë një “skandal të paprecedentë në botën financiare” dhe siguroi se kontrollet në sektorin e pagesave elektronike do të forcohen.
Askush, as auditorët dhe as xhandari financiar gjerman (Bafin) nuk zbuluan se çfarë po ndodhte, edhe pse që nga viti 2015 ka pasur zëra në shtyp për parregullsi në modelin ekonomik të Wirecard, thotë AFP.
Për më tepër, në fillim të vitit 2019, gazeta britanike ekonomike Financial Times publikoi një hetim mbi mashtrimet e dyshuara në Azi. Këtë javë, gazeta akuzoi EY se nuk e bëri punën e saj në mënyrë korrekte.
Sipas Financial Times, EY nuk kërkoi informacione thelbësore nga një bankë në Singapor, ku Wirecard pretendoi të ketë para deri në 1 miliardë euro.
Verifikimi i depozitave bankare “është një nga detyrat më të lehta” për një auditor kontabël dhe kryhet në përputhje me një “procedurë shumë të rregulluar”, thotë për EY, në akuzat e saj shoqata SdK.
Në fillim të qershorit, studio e avokatëve, në Berlin, Schirp & Partner ngriti një padi kundër EY. Ajo e akuzon atë për shkelje të “detyrimeve të kontrollit të një auditori”.
Aksionet e Wirecard kanë rënë 98% në dhjetë ditët e kaluara. Studio Schirp i nxiti aksionarët të paraqesin një padi kolektive kundër EY.
Jashtë Gjermanisë, shoqata holandeze e Investitorëve Evropianë (VEB) i ka kërkuar EY-së një marrëveshje miqësore, në të kundërt e kërcënon me një padi, raporton gazeta gjermane Handelsblatt.
Studio e auditimit, e cila refuzoi të aprovojë bilancin e kompanisë për vitin 2019, njohu “indikacione të qarta të një mashtrimi në shkallë të gjerë, duke përfshirë pjesë të ndryshme të botës dhe institucione të ndryshme, me një vullnet për të mashtruar”.
Problemi është se kjo deklaratë mund të kthehet kundër saj sepse, EY është përgjegjëse për miratimin e llogarive të grupit bavarez që nga viti 2009, dhe kjo është objektivi i kritikave. Ajo është akuzuar për dështimin e informimit të publikut për problemet që kanë qenë në Wirecard më parë.
Konglomerati japonez Softbank planifikon të padisë EY për rolin e saj në këtë skandal, sipas gazetës javore Der Spiegel.
Softbank bleu obligacione të konvertueshme tek Wirecard në një vlerë prej 900 milion euro në 2019, duke besuar se investoi në një kompani të besueshme.
I pyetur nga AFP, EY tha se deri më tani nuk ka pranuar asnjë padi.
Disa e krahasojnë çështjen Wirecard me rënien e Enron në fillim të viteve 2000. Grupi amerikan i energjisë mashtroi me bilancin e tij para se të fundosej dhe llogaritë e tij u mbikëqyrën nga studio Arthur Andersen.
Arthur Andersen u akuzua dhe u dënua për pengim të drejtësisë, duke çuar në përshpejtimin e rënies së kompanisë më të madhe të auditimit të atëhershme në botë.
Burimi AFP, Përgatiti për Gazeta Si: Meri Lika
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.