Drejtësia

Skandali i anëtarit Olger Eminaj, KLP: Masat për shkelje disiplinore i takojnë ILD-së

Gazeta Si – Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), ka reaguar pas skandalit seksual të anëtarit të saj, Olger Eminaj, i cili u denoncua nga emisioni investigativ “Stop”, se i ka dërguar një denoncueseje, foto të papërshtatshme dhe ka zhvilluar biseda me përmbajtje seksuale, gjatë orarit zyrtar dhe brenda ambienteve të institucionit ku ushtron detyrën.

Në një njoftim zyrtar për mediat, KLP thotë se çështja është duke u verifikuar plotësisht nga institucionet kompetente dhe se është Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ai që do të vendosë nëse do të marrë masa disiplinore ndaj anëtarit të KLP.

Në reagimin e KLP-së, thuhet se “do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet, me qëllim trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë objektive, të paanshme dhe në përputhje me ligjin”.

Sipas KLP, në kuadër të transparencës institucionale, ankesa e depozituar nga qytetarja i është përcjellë për trajtim dhe kompetencë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sipas të gjitha parashikimeve ligjore.

“Lidhur me çështjet etike dhe disiplinore që përfshijnë anëtarët e Këshillit, neni 104, i ligjit nr. 115/2016, ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’, parashikon se çdo pretendim për shkelje disiplinore ndaj anëtarëve të KLP-së i nënshtrohet kompetencës ekskluzive të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe më tej Gjykatës Kushtetuese”, – thuhet në njoftim.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton se përtej situatave të caktuara, do të vijojë përpjekjet për të ruajtur integritetin institucional në përmbushjen e standardeve të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksioneve publike.

Rasti u publikua mbrëmjen e të hënës në emisionin “Stop”, ku një qytetare nga Tirana, e identifikuar me inicialet R.M., tha se është përballur me një padrejtësi të madhe pikërisht në atë që duhet të besonte më shumë, tek sistemi i drejtësisë.

Qytetarja ka pasur disa probleme të saj dhe ka kërkuar drejtësi në KLP për një çështje, por pa gjetur rrugëzgjidhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë