Nga Gazeta Si- Një sasi fileto pule të importuara nga Brazili përmbajnë Salmonelë dhe për pasojë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se ka nisur procedimin e gjurmimit dhe bllokimit të produktit që është importuar përmes Portit të Durrësit por pa specifikuar se cila është kompania që e sjell, nëse produkti ka dalë në treg dhe se sa është sasia e sekuestruar.
Sipas AKU, është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Subjekti importues do të hetohet për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.
“Referuar analizimit në ISUV në datën 21, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës”, thuhet në njoftimin e AKU.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.