Nuk ka takim mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Pas anulimit të udhëtimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shkak të aktakuzave të ngritura nga Prokuroria Speciale, edhe kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar këtë mëngjes se nuk do shkojë në SHBA.
“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për tu marrë me situatën. E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë”- shkruan Hoti nga Brukseli.
Ndërkohë dje pa dalë ende në një deklaratë për shtyp për akuzat e hedhura nga Gjykata e Hagës për krime lufte, president i Kosovës, Hashim Thaçi ka informuar të dërguarin e Trump për dialogun, Richard Grenell se nuk do të shkojë në samitin e Shtëpisë së Bardhë.
Lajmi u bë i ditur nga Grenell, i cili ka thënë se respekton vendimin e Thacit për te anuluar udhëtimin e tij në Uashington, duke mos marrë pjesë në negociatat e paqes.
“Mirëpres vazhdimin e bisedimeve mes presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit”, shkruan ai.
Pas akuzave ndaj presidentit, një sërë opinionistësh i kanë bërë thirrje edhe Hotit të mos marrë pjesë në bisedimet që do të mbahen në Bruksel dhe Uashington.
Ndërkohë, ish-zyrtari i Pentagonit, që ka qenë përgjegjës për Ballkanin, Michael Carpenter, ka thënë se aktakuza e paraqitur nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj presidentit Hashim Thaçi, pritet të ndikojë në dialogun e planifikuar të mbahet më 27 qershor në Uashington, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Carpenter ka thënë se takimi do të duhej të anulohej, megjithatë ai thënë se nuk mund të parashikohet se çfarë do të vendosë administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, për këtë gjë.
Pritet reagimi i Grenell pas anulimit të udhëtimit edhe të Kryeministrit Hoti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




