Tifozët shqiptarë dhe ata kroatë festuan së bashku para ndeshjes mes Kroacisë dhe Shqipërisë, të zhvilluar të mërkurën në kuadër të “Euro 2024”. Në stadiumin në Hamburg, tifozët e Shqipërisë dhe ata të Kroacisë qëndruan në tribuna të njëjta dhe nuk është raportuar për ndonjë incident.
Në të paktën një moment ata kanë kënduar së bashku ku janë dëgjuar duke thirrur “mbyte serbin”. Nuk ka vonuar shumë dhe Federata e Futbollit e Serbisë reagoi.
Fillimisht nga Federata serbe thanë se do të tërhiqen nga Evropiani nëse UEFA nuk dënon Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Federatën Kroate të Futbollit.
Të enjten mbrëma UEFA ka lajmëruar se ka nisur hetimet.
UEFA ka caktuar një inspektor për të kryer hetimet “lidhur me sjelljen e mundshme raciste dhe diskriminuese nga tifozët, që dyshohet se kanë ndodhur në ndeshjen Kroaci- Shqipëri”.
UEFA ka nisur hetim edhe për sulmuesin e Shqipërisë, Mirlind Daku. Pas ndeshjes me Kroacinë, Daku mori megafonin dhe iu afrua tribunës ku ishin tifozët shqiptarë.
Sulmuesi u dëgjua duke nisur fyerje ndaj maqedonasve.
“Është hapur një hetim lidhur me sjelljen që supozohet se ishte e papërshtatshme, e lojtarit të FSHF-së, Mirlind Daku. Informacione të tjera lidhur me këtë çështje do të vihen në dispozicion në kohën e duhur”, shkruan në njoftimin e UEFA-s.
Sulmuesi Daku ka kërkuar falje publike disa minuta pas publikimit të njoftimit të UEFA-s, duke thënë se ishte nën efektin e emocioneve kur ofendoi tifozët e Maqedonisë së Veriut.
"Përshëndetje të gjithëve. Së pari dua të jem falenderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024. Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi”.
Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona. Falja është burrërore, dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar", shkruan Daku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.