Nga e hëna në të shtunë, kjo javë do të mbahet mend gjatë nga Rey Manaj dhe tifozët e tij. Pas Shqipërisë edhe Sivasspor ka nevojë për Manajn. 6 gola dhe dy asist nga sulmuesi kuqezi që udhëheq në këtë mënyrë dy skuadra drejt objektivave sezonale. Pas show-t në “Arena Kombëtare”, Manaj nuk humbet kohë dhe përsërit gjithçka në klub. Kjo përballë Adana Demirspor në javën e 28 në Superligën turke. 13 minuta dhe krosimi i Bekiroglu mjaftuan që Manaj ti shpëtonte mbrojtjes në shtyllën e dytë dhe të krijonte hapësirën për golin e parë.

4 minuta më pas ishte Garry Rodrigues që e uli topin në qendër dhe pas një rrëmuje, Manaj përfitoi për ta shtyrë topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 2-1 për vendasit ndërsa Manaj kishte ruajtur edhe për të dytën ku Sivasspor shënoi golin e tretë në 48’. Këtë herë bomberi kuqezi nuk shënoi por shërbeu për dy golat e fundit të ndeshjes. Fillimisht për Boke (pas lëvizjes në qendër) në të djathtë që e çoi avantazhin në 4-1 dhe tetë minuta më pas për Bekiroglu që realizoi manita për vendasit. Manaj ngjitet në kuotën e 10 golave (dy me penallti) ku 5 prej tyre ka zhvllokuar sfidën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.