Ngjarje

Situata me zjarret, 14 vatra aktive. Në Finiq digjen disa banesa. Dy helikopterë të Emirateve në ndihmë të Shqipërisë

Gazeta Si – Ndërsa në vend janë raportuar 14 vatra aktive nga Veriu në Jug, beteja me zjarret në vend sa vjen e bëhet më e vështirë sidomos në Synej të Kavajës dhe Bashkinë e Finiqit.

Për shuarjen e vatrës së zjarrit në fshatin Synej, është ndërhyrë me një avion “Canadair” të ardhur nga Kroacia.

Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se avioni po operon që prej orëve të para të mëngjesit, ndërsa më herët njoftoi edhe mbërritjen në vend të dy helikopterëve ‘Black Hawk’ të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ndërkohë nga zjarri në Finiq raportohet për disa banesa të djegura në fshatin Leshnicë e poshtme. Aktualisht, sipas raportimeve, zjarri vazhdon drejt Leshnicës së Sipërme.

Në Poliçan, ku situata mbrëmjen e djeshme ishte kritike, sot është në kontroll. Mbrëmjen e së dielës zjarri mori shtrirje të gjerë, dhe i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta, zbriti në kodrat e fshatrave Plirëz dhe Mbrakull. U evakuuan të moshuarit e azilit dhe 6 familje që ndodheshin afër zonës së rrezikut.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve janë raportuar 38 vatra zjarri, nga të cilat 14 janë aktive. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 68 zjarrfikëse me 601 forca operacionale. Ato ndihmonë nga Forcat e Armatosura me 183 forca ushtarake.

Në kulmin e flakëve, në zonën e Delvinës, ku zjarret u përhapën nga kodrat e Palavlisë deri mbi malet e Borshit, mbi 2000 banorë u evakuuan, ndërsa u shkatërruan rreth 2000 rrënjë ullinj qindravjeçarë, dhjetëra hektarë tokë bujqësore, bagëti, koshere bletësh dhe 20 banesa, mes tyre edhe kisha e Shën Dhimitrit në Senicë, Monument Kulture i kategorisë së parë.

Dy persona nga Kopaçëzi pësuan djegie të rënda dhe u dërguan për trajtim të specializuar, ndërsa të tjerë u lënduan nga tymi dhe nxehtësia ekstreme, që në disa zona arriti deri në 50°C.

Rrjeti i ujësjellësit dhe linjat elektrike u shkatërruan plotësisht, duke i detyruar banorët të qëndronin në kushte të vështira për ditë të tëra.

Në ndihmë të autoriteteve shqiptare për përballimin e situatave me zjarret kanë ardhur dy helikopterë të rinj.

Bëhet fjalë për dy Black Hawk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe që janë ulur në Bazën Ajrore të Kuçovës.

Siç bën me dije Ministria e Mbrojtjes, ato do të angazhohen në operacionet për fikjen e zjarreve.

“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjenerallejtant Arben Kingji, priti në bazë ekuipazhet dhe stafin, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtë me forcat tona për të përballuar situatën”, njoftoi ministria.

Instituti i Gjeoshkencave ka bërë me dije se sot nuk priten reshje prandaj rreziku është i lartë në të gjitha qarqet. Por në disa zona pritet rrezik shumë i lartë më konkretisht në jug të Qarkut Shkodër, veri të Qarkut Lezhë dhe Perëndim të Qarkut Elbasan.

“Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 42 °C në vendet e ulët, ndaj përsërisim thirrjen për qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar në këto ditë të nxehta dhe të njoftojnë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve vendore”, njoftoi Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë