Kosova

Situatë e rëndë nga Covid-19, 22 të vdekur dhe 4 gra shtatzëna në gjendje kritike në Kosovë

Pandemia ka marrë përmasa të frikshme në rajon, duke prekur në masë të rinjtë dhe të pa vaksinuarit.

Në Kosovë një 29-vjeçare shtatzënë ka humbur jetën si pasojë e infektimit me variantin Delta të Covid-19. Po ashtu në Maqedoninë e Veriut një 15-vjeçare nga Tetova ka ndërruar jetë pas gjendjes së rënduar shëndetësore nga Covid-19.

Raportohet se 4 gra shtatzëna ndodhen në spital në gjendje të rëndë në Kosovë, ndërsa ministria e Shëndetësisë iu bën thirrje këtyre të të fundit që të marrin vaksinën anti-Covid. Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 22 viktima dhe 1894 të infektuar.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka njoftuar të mërkurën (1 shtator) se 1220 pacientë janë duke u trajtuar në spitalet e përgjithshme në Kosovë.

“Nga 1220 pacientë, 1051 ndodhen në oksigjen ndërsa 59 në kujdes intensiv, në gjendje të rënduar shëndetësore”, thuhet në raport. Në Kosovë u konfirmuan edhe 26 viktima nga koronavirusi të martën.

Së shpejti, në Prishtinë pritet të arrijnë mbi 450,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, si donacion nga Shtetet e Bashkuara, tha të martën ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Vitia tha se Kosova ka mjaftueshëm doza të vaksinës Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

“Edhe një herë ju bëj thirrje që të mos zgjedhim se cilën vaksinë ta marrim në një situatë si kjo. E rëndësishme është që të vaksinohemi sa më parë”, tha Vitia.

“Ne jemi i vetmi vend në rajon që kemi administruar vetëm vaksina të aprovuara nga Agjencia Europiane e Barnave dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë