Ka ndodhur

Zjarret në vend/ Peleshi mbledh prefektët dhe kryebashkiakët: Sinjalizoni në kohë!

Gazeta Si – Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thirri në një takim Prefektët, kryetarët e bashkive si dhe drejtues të strukturave operacionale të mbrojtjes civile për të diskutuar në lidhje me masat për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit të verës.

Ai e nisi fjalën duke falënderuar kryetarët e bashkive, të cilët kanë marrë pjesë në këtë takim. Por, krahas kësaj ministri nuk kurseu disa prej funksionarëve vendorë, të cilët sipas tij nuk i dinë përgjegjësitë dhe detyrat që u ngarkon ligji sa i takon masave që duhet të marrin kundër zjarreve.

“Ka edhe bashki, që nuk e kanë parësore punën e emergjencave civile. E quajmë si punë të dorës së dytë. Punësojnë një njeri aty, të cilit shpeshherë nuk ia dinë as emrin”, tha Peleshi.

Ministri tha se janë evidentuar 125 vatra zjarrit në muajt qershor-korrik, vatra të cilat janë menaxhuar shumë mirë nga njëistë vendore.

Duke folur për situatën aktuale në dy vatrat aktive, në pyllin e fshatit Peshatn në Fier dhe fushën e mbetjeve në Vlorë, ai u shpreh.

“Sot kemi dy zjarre aktive dhe shumë kritike, një është pranë pyllit në fshatin Peshtan dhe vatra tjetër në fushën e mbetjeve në Vlorë. Zjarri në fushën e mbetjeve të Vlorës sot po përballohet nga forca të shumta të FA. Në Peshtan kemi 50 efektivë, dy autobotë uji, 15 forca bashkiake, krahas 50 forcave policore dhe helikopterit Cougar që ka punuar vazhdimisht. Dhe në Vlorë pas 20 ditësh u riaktivizua përsëri vatra. Helikopteri është aty me shumë mjete zjarrfikëse, autobotë uji dhe mjetet të tjera gërrmuese. Por duhet thënë që sa herë që ka një zjarr të madh, ka një lloj dështimi nga rrjeti i monitorimit dhe i sinjalizimit të hershëm. Nuk ka shans që nëse ky rrjet funksionon siç duhet, duke filluar nga kryepleqtë e fshatrave apo sensibilizimi i komuniteteve. Nëse njoftohet herët nuk ka mundësi që zjarri të marrë përmasa të mëdha”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.

Ministri kërkoi vigjilencë të shtuar në terren dhe bashkëpunim me komunitetin, ndërsa u shpreh: “Kemi hyrë në një stinë shumë të nxehtë, mbase edhe më të nxehtë se e vitit të kaluar, që pritet të prekë pjesën jugore të vendit dhe Shqipërinë e mesme, por nuk përjashtohet asnjë territor. Vigjilenca duhet të jetë kudo, duke filluar nga komunitetet. Mbani kontakte me kryepleqtë e fshatrave”, porositi ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë