Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka reaguar për situatën në veri të Kosovës, duke komentuar se Republika e Serbisë ka filluar një agresion të pashpallur ndaj shtetit të Kosovës.
Me anë të një postimi në Facebook, Majko e quan atë që po ndodh në veri si një provokim serb, ndërsa thotë se “është kërkesë për të ndryshuar statuskuonë e paqes në rajon nga ‘Pons Pilati’ në Beograd që bën sikur kontrollon Serbinë!”
“Republika e Serbisë ka filluar një agresion të pashpallur ndaj shtetit të Kosovës. Politika e tundimit të serbëve me gënjeshtrat e duhura nga Beogradi, mbart rrezikun që ata të verbohen dhe të mos shohin cmendurinë që kanë para syve.
Shpallja unilaterale nga 4 komunat në veriun e Kosovës, të territorit me legalitet të dallueshëm, është fillimi i një krize që nuk ka të bëjë me të drejtat e serbëve.
Provokimi serb në Kosovë, është kërkesë për të ndryshuar statuskuonë e paqes në rajon nga ‘Pons Pilati’ në Beograd që bën sikur kontrollon Serbinë!
Politika e Beogradit po humb cilësitë europiane dhe po funksionon si ‘front i dytë’ për politikën e Lindjes.
Dhuna sjell ndryshime të shpejta por rezultate iluzore!… Mos e grah grethin me krande se e ban për të zezën tande”, shkruan Pandeli Majko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




