Kosova

Situata në veri të Kosovës, BE: Zgjidhja është dialogu. Ftojmë palët në Bruksel  

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Peter Stano, tha të hënën në një konferencë shtypi në Bruksel, se BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës.

Ai ka kërkuar që të ndërpritet menjëherë çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes.

“BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës. Të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë”, tha Stano.

Sipas tij, mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut dhe negociatave.

“BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë për të qetësuar tensionet, në koordinim të ngushtë me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në. Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Borrellit dhe SHBA-së për të shtyrë masat e planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara” tha ai.

Stano ka shtuar se të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

“Fokusi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është thelbësor për rrugët e tyre përkatëse të integrimit evropian”, theksoi Stano, para gazetarëve.

Sipas tij, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka kërkuar që të shtyheshin masat për targat dhe kartat e identitetit dhe të takoheshin ndërkohë në Bruksel për të diskutuar një rrugë përpara. “Ky propozim u mbështet plotësisht nga SHBA”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë