Politike

Situata në kufirin e Kosovës, PD:  Dënojmë nxitjen e Serbisë për konflikt

Partia Demokratike, përmes anëtarit të kryesisë, Aldo Bumçi, ka reaguar në lidhje me situatën ne Veri të Kosovës.  

“Ne i japim mbështetje të plotë qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të saj ligjzbatuese, të cilët janë në të drejtën e tyre legjitime dhe sovrane, për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë territorin e Republikës.

Ne e inkurajojmë si të drejtë vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitet në marrëdhëniet me Republikën fqinje të Serbisë.

Qeverisë së Serbisë, i bëjmë thirrje t’u përmbahet të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut, dhe t’i zbatojnë ato pa vonesë.

Ne dënojme përpjekjet e Serbisë, përmes deklaratave dhe veprimeve që nxisin konfliktin, synojnë destabilizimin e Kosovës, dhe janë me pasoja për të gjithë rajonin”, tha Bumçi.

Ai nuk la pa shigjetuar në këtë debat edhe nismën e Ballkanit të Hapur.

“…Duam të theksojmë përmes këtij rasti flagrant hipokrizinë e nismës së Ballkanit të Hapur dhe protagonistëve të saj Rama dhe Vuçiç.

Nëse hapja do të ishte synimi i tyre, nëse Kosova do të konsiderohej, siç thonë, e mirëpritur në këtë projekt, aktet absurde të nacionalizmit të shekullit 19 dhe paradat e serbomadhnisë në kufirin mes dy vendeve, nuk do të përsëriteshin edhe njëherë, në ato toka ku vetëm para pak vitesh luhej teatri i përgjakur i luftës”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë