Ministria e Bujqësisë njofton se situata me gripin e shpendëve, Influencën Aviare, në vend është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm, nëpërmjet strukturave në qendër dhe atyre rajonaje.
“Sëmundja e Influencës Aviare e konfirmuar edhe në vendin tonë, është një sëmundje e një rëndësie të veçantë dhe me përhapje mbarëbotërore. Sëmundja aktualisht është e pranishme në mjaft shtete të tjera, të cilët zbatojnë programe kontrolli dhe mbikëqyrje të njëjta me vendin tonë”, njofton ministria.
Ky infeksion mund të parandalohet vetëm nëpërmjet zbatimit të masave të biosigurisë me qëllim uljen e nivelit të ekspozimit ndaj virusit i cili përhapet me rrugë ajrore dhe ato të kontaktit me shpendët portatorë, të egër dhe migratorë për në fermat dhe oborret familjare, të cilët mbarështojnë shpendë.
“Që prej konfirmimit të rastit të parë është në fuqi dhe mblidhet në rend ditor Qendra Kombëtare e Krizës për sëmundjen e Influencës Aviare për koordinimin e veprimeve dhe marrjen e informacionit mbi masat e marra. Qendra Rajonale e Krizës, ka identifikuar Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes (3 km) dhe mbikqyrjes (10 km) për tre vatrat në Zall Herr, Nartë, Paskuqan dhe asaj të konfirmuar dje në Lagunën e Karavastasë”, thuhet në njoftim.
“Prej rastit të parë të konfirmuar Shërbimi Veterinar Rajonal ka marrë të gjitha masat e duhura për monitorimin e situatës shëndetësore të shpendëve të butë, për izolimin e infeksionit me qëllim parandalimin e përhapjes duke vijuar komunikimin me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura për monitorime dy-palëshe të faunës së egër në zonat lagunore e ujore të mbrojtura.
Është bashkëpunuar me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për monitorimin dhe testimin e personave të kontaktit, teste të cilat deri më tani kanë rezultuar negative. Është ndaluar lëvizja e shpendëve të gjallë jashtë fermave, të ndodhura në Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes dhe mbikqyrjes”, vijon Ministria e Bujqësisë.
Duke qenë se dy prej rasteve në vatrat aktuale pozitive janë të pranishëm në specie të shpendëve të egër, Ministria e Bujqësisë fton fermerët dhe qytetarët që të bashkëpunojnë me qëllim jo vetëm raportimin në kohë të çdo dyshimi nëpërmjet komunikimit të shpejtë në numrin e gjelbër 08003366, por dhe zbatimit rigoroz të masave të biosigurisë dhe kufizimit të ekspozimit të shpendëve në mjedise të hapura, për të ulur nivelin e riskut të kontaktit me shpendët e egër dhe migratorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.