Gazeta Si – Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 30 vatra zjarri janë raportuar në 24 orët e fundit, nga të cilat 22 janë shuar, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile.
MM bëri të ditur se, është shuar edhe vatra e zjarrit në fshatin Malecaj të bashkisë Lezhë për të cilën u angazhuan prej ditësh forcat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura.
Por, thekson MM, vijojnë të jenë aktive ditën e sotme zjarret në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë, ku ditën e sotme situata paraqitet e përmirësuar.
Zjarri në fshatin Torovicë të bashkisë Lezhë, ditën e sotme vijon me intensitet të ulët, janë angazhuar për shuarjen e tij shërbimi zjarrfikës dhe struktura vullnetare.
Zjarri në fshatin Mal Shëngjin, ku ditën e djeshme është arritur vënia nën kontroll e tij, por si pasojë e erës së fortë është përkeqësuar sërish.
MM shton se, po vijojnë operacionin ditën e sotme strukturat vendore të mbështetura nga Forcat e Armatosura.
Gjithashtu, bëhet e ditur se, po punohet edhe për shuarjen e zjarrit në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë dhe pjesërisht në bashkinë Has, ku janë angazhuar ditën e sotme strukturat vendore të dy bashkive të mbështetura nga Forcat e Armatosura.
Aktive janë vatrat në fshatin Hoten, bashkia Vau Dejes, në bashkinë Fushë Arrëz, në fshatin Xhathe, i cili dje mori përmasa të menjëhershme si pasojë e erës së fortë. Vijon edhe këtu operacioni i strukturave vendore, mbështetur nga efektivët e FA.
Në vatrën e zjarrit në fshatin Zavalinë, në Elbasan dje u bë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në kurorën e pishave edhe me angazhimin e FA. Po ashtu po punohet edhe në një tjetër vatër në bashkinë Maliq, fshati Lozhan-Bode.
MM përsërit thirrjen për banorët, që të raportojnë në kohë pranë strukturave vendore çdo vatër që konstatojnë, në mënyrë që të parandalohet përhapja në sipërfaqe më të gjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




