Futboll

Siti triumfon në derbin e Mançesterit, Murinjo bie sërish

Qyteti i Mançesterit ditën e hënë do të zgjohet me një ngjyrë, atë blu. Mançester Siti ka mposhtur rivalët e qytetit, Mançester Junajtid me rezultatin 3-1. Një fitore e kërkuar që nga minuta e parë dhe që shijon akoma dhe më shumë për “qytetarët”, të cilët tashmë kapin kreun e renditjes. Dështim total nga ana tjetër e qytetit, Junajtid pas asaj fitore në Ligën e Kampionëve është rikthyer te rezultatet negative dhe tashmë është shumë larg vendeve të para në kampionat.

Ndeshja filloi shumë mirë për të besuarit e Pep Guardiolës që morën menjëherë në kontroll sfidën. Që në minutën e 12’ është David Silva, që gjen rrugën e rrjetës dhe kalon në avantazh Mançester Sitin. “Qytetarët” do të kërkonin sërish rrugën e rrjetës, por pa mundur dot t’ia dalin mbanë. Junajtid nga ana tjetër është shumë i zymtë në lojën e tij dhe nuk arrin që të shfaqet rrezikshëm në portën e Ederson Moaresh.

Me fillimin e pjesës së dytë, Kun Aguerro do të dyfishonte avantazhin. Për argjentinasin ky ishte një moment i rëndësishëm, pasi ai tashmë është golashënuesi më i mirë në derbin e Mançesterit, duke kaluar Uejn Runei. Pas këtij goli, duket sikur ekipi i Murinjos u zgjua dhe filloi të reagonte. “Djajtë e kuq” do të gjenin edhe rrugën e rrjetës me anë të Lukakut. Belgu nuk gabon nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 58’ duke e rihapur sfidën.
Por ka ishte ndeshja për Mançester Junajdit, pasi Siti merr sërish në dorë frenat e lojës, duke u hedhur në sulm për të shënuar golin e sigurisë. Ai që do të qetësonte Guardiolën ishte turko-gjermani Ilkai Gyndogan. Mesfushori 28-vjeçar shënoi golin e tretë në minutën e 88’, duke i dhënë kështu fitoren ekipit të tij në derbin e parë sezonal.

Në ndeshjet e tjera të Premier League të luajtura këtë të diele, Liverpool fitoi 2-0 me Fulham. Një nga golat për ekipin e Klop e shënoi sulmuesi Xherdan Shaqiri, që në këtë ndeshje luajti që nga minuta e parë. Sakaq dy ekipet londineze, Çelësi dhe Arsenal janë ndalur në barazim këtë javë, respektivisht me Everton dhe Volves.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë