Politike

Sistemi zgjedhor/ Propozimi i shoqërisë civile: Dy variantet, me 100 deputetë dhe lista të hapura

Katër organizata të shoqërisë civile, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI), Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS), Instituti i Studimeve Politike (ISP), Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG), të grupuara në nismën “Artikulli IX” u janë drejtuar sot partive politike, Parlamentit dhe opinionit publik me disa propozime konkrete për reformën zgjedhore, sistemin zgjedhor dhe legjislacionin mbi partitë politike dhe financimin elektoral.
Në propozim thuhet se duke u kufizuar në përzgjedhjen e sistemeve tek përvoja e mëparshme në Shqipëri dhe përvoja në rajon, si dhe duke marrë të mirëqenë ruajtjen e numrit të njëjtë të deputetëve, katër shoqatat propozojnë që të shqyrtohen me prioritet këto dy sisteme për t’u aplikuar në zgjedhjet e ardhshme. I pari është sistemi proporcional me lista të hapura shumëemërore të partive (ku zgjedhjet e votuesve përcaktojnë rendin në listë), me një zonë zgjedhore (kombëtar), me prag elektoral 2.5 për qind për partitë dhe 4 % për koalicionet. Ndërsa sistemi i dytë është ai miks i aplikuar më 1992 në Shqipëri, me 100 zona në mazhoritar dhe formulë kompensuese me 40 mandate në proporcional kombëtar me prag elektoral 2.5 për qind.

Deklarata e katër shoqatave


Sipas tyre, zgjedhja e njërit prej dy sistemeve do të ishte një hap i madh drejt një reformë të rëndësishme në përfaqësimin politik dhe mirëqeverisjen e vendit, por kjo mund të arrihet edhe nëse ka një vullnet politik për të realizuar një gjë të tillë.
“Ne apelojmë për të marrë në konsideratë edhe nevojën për një ligj të ri bashkëkohor për partitë politikë, një ligj të ri mbi financimin elektoral në përputhje me parimin e transparencës të nenit 9 të Kushtetutës, si dhe shqyrtimin e formave më efikase për shmangien e konfliktit të interesit dhe heqjen e monopolit të partive mbi procesin e administrimit zgjedhor. Ky ligj gjithashtu mund të marrë në konsideratë edhe aplikimin e standardeve të demokracisë së brendshme në funksionimin e partive politike përmes kufizimit të mandateve të Kryetarit të Partisë”, thuhet në deklaratën e katër shoqatave.
Që prej vitit 2008, në Shqipëri po aplikohet sistem proporcional rajonal me 12 zona zgjedhore për 140 mandate. Ky sistem u vendos për t’u aplikuar pas një marrëveshje që u arrit në prill të vitit 2008 për ndryshimin e Kushtetutës, e firmosur mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Në vitin 1991 vendi ynë pati një shumicë absolute me sistemin mazhoritar dhe pati mbi 200 deputetë. Më pas në 1992 u realizua sistemi miks, me 100 zona në mazhoritar dhe me dy raunde dhe me 40 mandate si kompensim me sistemin proporcional.
Reforma zgjedhore është një nga kushtet e vendosura nga ana e Bashkimit Europian. Aktualisht komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore është në pritje të diskutimeve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Pro ndryshimit të sistemit zgjedhore deri më tani është shprehur opozita e re parlamentare, e cila e ka vendosur si kusht për dhënien e votave. Ndërsa dy partitë e mëdha e PS dhe PD nuk janë shprehur pro ndryshimit të sistemit, duke lënë evazive qëndrimin e tyre.

Shqipëria gjatë viteve 1991-2017, sistemit e përdorura:
Në 1991 – sistem mazhoritar me shumicë absolute;
Në 1992 – sistem miks, 100 zona në mazhoritar me 2 raunde dhe 40 mandate me formulë kompensuese në proporcional kombëtar;
Në 1996 – sistem miks, 115 zona në mazhoritar me 2 raunde dhe 25 mandate në proporcional kombëtar;
Në 1997 – sistem miks, 115 zona në mazhoritar me 2 raunde dhe 40 mandate në proporcional kombëtar;
Në 2001 – sistem miks, 100 zona në mazhoritar me 2 raunde dhe 40 mandate në proporcional kombëtar;
Në 2005 – sistem miks, 100 zona në mazhoritar me 1 raund dhe 40 mandate në proporcional kombëtar;
Në 2008 – sistem proporcional rajonal me 12 zona zgjedhore për 140 mandate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë