Futboll

Sistemi VAR në Shqipëri, FSHF nis implementimin e teknologjisë

Sistemi VAR është projekti kryesor i Federatës Shqiptare të Futbollit për Kategorinë Superiore nga sezoni 2021-2022, projekt i cili mbulohet i gjithë me buxhetin e FSHF-së. Procesi i implementimit të VAR-it ka nisur që nga shkurti 2020 dhe është vendosur që edicioni i ri të nisi me VAR që nga ndeshja e parë në gusht. Të pesë ndeshjet e superiores çdo javë do të jenë me VAR. Për këtë arsye në Federatën e Futbollit është zhvilluar një takim mes zyrtarëve të FSHF-së dhe homologëve të FFK për të ndarë eksperiencën, momentet ku mund të bashkëpunohet dhe në të njëjtën kohë u ndanë hapat që duhet të ndiqen momentalisht në këtë proces.

Faza përgatitore deri në përdorimin e tij zgjat më shumë sesa një vit. Duke nisur me trajnimin teorik, praktik dhe pastaj do të bëhen edhe ndeshjet testuese, por që nuk do të transmetohen. Kjo fazë pritet të zhvillohet në muajin prill, maj, në fundin e sezonit me nivele të ndryshme, te moshat deri në nivelet e Superiores. Teste pas të cilëve, FIFA bën më tej edhe licencimin e arbitrave për dhomën e VAR-it dhe jep miratimin e këtij sistemi për kampionatin pasardhës në Superiore. Aprovimi final do të jepet nga FIFA.

Nisur nga infrastruktura, jo vetëm e stadiumeve, por edhe të teknologjisë në vend është përzgjedhur që të ketë regji të lëvizshme me 3 mikrobuzë. Fillimisht u diskutua që të ishte një regji e centralizuar pranë FSHF-së ose pranë ‘Air Albanias’, por për këtë duhet që deri në çdo stadium ku do të luhen ndeshjet të ketë fibra optike dhe një linjë interneti super të shpejtë.

VAR kërkon minimalisht pesë kamera. Është dakordësuar me transmetuesin, që edhe për sezonin e ardhshëm është ‘Digit Alb’, të jenë shtatë kamera në çdo stadium. Dy prej tyre janë të palëvizshme, të fokusuara në zonat e 16-metrave. Çka zëvendëson edhe sistemin me 6 arbitra. Faza finale e Kupës pritet të bëhet gjithashtu me implementimin e VAR- it, por mbetet për t’u parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë