Jannik Sinner heq dorë nga ATP Madrid. Tenisti italian, që ka qenë padyshim më i spikaturi në këtë fillim viti, vuante nga një dëmtim në krahun e djathtë të shpinës dhe ka vendosur të heqë dorë nga turneu, për të mos përkeqësuar më shumë gjendjen.
Lajmin e dhanë fillimisht organizatorët e turneut, që thanë se Sinner nuk do të paraqitet këtë të enjte për sfidën çerekfinale ndaj Felix Auger-Aliassime, me këtë të fundit që kualifikohet automatikisht në gjysmëfinale të turneut.
“Yannik ka shfaqur problem në shpatullën e djathtë dhe ka vendosur të tërhiqet nga turneu i Madridit, ndaj nuk do të zbresë në fushë për ndeshjen çerekfinale. Shërim të shpejtë Yannik”, thuhej në komunikatën e organizatorëve të ATP Madrid.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i vetë tenistit italian, i cili tha se dhimbja e ka detyruar të marrë këtë vendim të trishtueshëm dhe se do të rikthehet shumë shpejt, për të tjera suksese.
“Është shumë e trishtueshme të tërhiqem para ndeshjes në turneun e Madridit, por dhimbja në shpatull bëhet gjithnjë e më e fortë dhe nuk dua që problem të përkeqësohet edhe më shumë. Në ditët e ardhshme do të bëj të tjera ekzaminime me mjekë specialist për të përcaktuar edhe mënyrën e rikuperimit, me qëllim që të rikthehem sa më shpejt”, shkroi Sinner. (Supersport)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.