Kombetarja

Sinjale ‘dashurie’ për Rejën, Duka: Kemi baza të forta, shkojmë në Euro 2024

Me mbylljen e eliminatoreve të Botërorit, ku Shqipëria zuri vendin e tretë në grup dhe ky është një sukses, pasi la pas Hungarinë, çështja më e rëndësishme në Kombëtare është vazhdimi apo jo me trajnerin Edi Reja. Italiani ka kontratë deri në fund të 2022-shit, ndërsa opinioni është i ndarë për qëndrimin e tij.

Në përgjithësi specialistët gjykojnë se Reja duhet të vazhdojë, sepse ka punuar mirë, ka të tjerë që e “dënojnë” për disa ndeshje. Pas fitores me Andorrën vetë trajneri Reja ia kaloi “topin” FSHF-së dhe i shpejtë ishte edhe reagimi i presidentit të këtij institucioni, Armand Duka. Ai ka lëshuar sinjale vazhdimi të bashkëpunimit me Rejën, duke evidentuar faktin se Kombëtarja ka hedhur baza të forta dhe se është rinovuar nga trajneri.

Kuqezinjte festojne golin e Çekiçit ndaj Andorres. Gazeta Si, 16 nentor 2021

“Mbyllëm sot eliminatoret e Botërorit Katar 2022, pas një fitore të mundishme, por shumë të rëndësishme ndaj Andorrës në Tiranë. Përfunduam një rrugëtim përgjithësisht pozitiv, ku si asnjëherë në histori siguruam 18 pikë. Morëm 6 fitore, rinovuam skuadrën, ju dha hapësirë elementëve të rinj dhe sot kemi një skuadër me një moshë mesatare ndër më të rejat.

Jemi gjithashtu koshientë se paraqitja me Anglinë ishte shumë larg asaj që ne pretendojmë nga kjo skuadër, apo humbjet me Poloninë sollën zhgënjim të madh, por është koha të shikojmë me besim përpara. Kemi hedhur baza të forta, kjo skuadër duhet mbështetur. Me punë, ashtu siç kemi treguar gjithmonë, do t’i arrijmë objektivat tonë, ato për të qënë protagonistë në futbollin europian dhe për të çuar Shqipërinë në Euro 2024”, – shkruan kreu i FSHF-së në faqen e tij në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë