Kombetarja

Simulatori kompjuterik: Edhe në shortin më të lehtë, Shqipëria nuk del nga grupi në ‘Gjermani 2024’

Shqipëria rikthehet pas 8 vitesh në finalet e një kampionati Europian dhe këtë të shtunë do të mësojë se cilët do të jenë kundërshtarët e saj në fazën e grupeve të Gjermani 2024.

Pas një fushate eliminatore thuajse perfektë, ku për herë të parë në histori arritëm të dilnim në vend të parë në grup dhe po ashtu arritëm të fitonim, barazonim dhe të pësonim një humbje vetëm në fushën e blertë. Ndryshe ndodhi në fushatën eliminatore të 2016-s, ku më 14 tetor 2014 luajtëm gati një pjesë në Beograd dhe pikët i morëm në 2015-n në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës.

Kuqezinjtë duke festuar pas një fitoreje në “Air Albania”. Gazeta Si, 1 dhjetor 2023

Megjithatë, mes 21 ekipeve të përzgjedhura deri më tani, pasi 3 të tjerat do të dalin nga play-off-i, duket se Shqipëria është skuadra që do të “donin” të gjithë në grup, duke parë emrat e ekipeve të kualifikuara dhe nivelin e tyre.

Kuqezinjtë ndodhen në vazon e dytë, si asnjëherë më parë, por mes 24 finalisteve të kontinentit më të vjetër nuk ka skuadra të dobëta, edhe pse në letër ekzistojnë disa të tilla. Në pritje të shortit të së shtunës, në orën 18:00, e gjithë Europa, sigurisht sa u përket vendeve të kualifikuara, ka filluar parashikimet e tyre dhe shortet e simuluara.

Gazeta Si ka simuluar shortet e mundshme të Shqipërisë, në bazë të renditjes së FIFA-s, shortin më të vështirë dhe më të lehtë dhe më pas në bazë të ‘World Elo’, që është një faqe e specializuar statistikore, që përllogarit çdo statistikë të secilës skuadër në mënyrë krahasimore.

Kështu, sipas klasifikimit të FIFA-s, shorti më i vështirë që mund t’i bjerë Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe skuadrat e dala nga play-off-i, është ky: Francë, Holandë dhe Itali. Dhe në bazë të këtij shorti kuqezinjtë renditen në vendin e fundit në grup, sipas simulatorit që kualifikon për më tej Francën dhe Holandën, ndërkohë që eliminon Italinë si të parafundit të renditur në grup dhe Shqipërinë.


Edhe në bazë të klasifikimit ‘World Elo’ shorti më i vështirë për Shqipërinë është i njëjti dhe me të njëjtin parashikim të përfundimit të grupit.


Ndërkohë sa i përket një shorti më të thjeshtë, në letër, simulatori në bazë të renditjes së FIFA-as, e parashikon kështu: Gjermani, Greqi dhe Slloveni. Pavarësisht se na sugjeron këto emra ekipesh si më të thjeshta, prapë Shqipëria sipas simulatorit renditet e fundit dhe nuk e kalon grupin, duke lënë në krye dhe si të kualifikuara për në fazën e 16-shes Gjermaninë dhe Greqinë.


Sa i përket shortit më të lehtë në bazë të renditjes ‘World Elo’, shorti më i lehtë për ne është sërish Gjermania dhe Sllovenia, ndërkohë që në vend të Greqisë sugjeron Poloninë, një skuadër që ne e patëm në grup dhe me të cilën ndamë nga një fitore.


Edhe në këtë lloj klasifikimi kuqezinjtë janë sërish në vendin e fundit në grup, që do të thotë se të kualifikuara mendohen sërish Gjermania dhe Polonia në këtë rast.

Me fjalë të tjera, historia, statistikat dhe gjithçka që i përket shifrave në botën e futbollit, tregojnë se Shqipëria maksimumin e saj kishte kualifikimin në këtë fazë finale, ndërkohë që sipas edhe deklaratës të fundit të presidentit Duka, objektivi ynë për në Gjermani 2024 do të jetë “të paktën kalimi i grupit…!”

Kjo sigurisht që është edhe një dëshirë, për të mos thënë ëndërr, ashtu sikurse shifrat dhe statistikat në futboll nuk thonë gjithmonë të vërtetën. Megjithatë, nëse do ta arrijmë këtë objektiv apo jo na duhet të presim verën e ardhshme dhe deri atëherë si fillim na duhet të mësojmë emrat e kundërshtarëve, që zyrtarisht do të zbardhen të shtunën pasdite në Hamburg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë