XBB1.5, një variant omikron është bërë një lloj dominues i virusit Covid-19 në SHBA dhe vende të tjera, duke shtuar frikën se mund të bëhet donimues në të gjithë botën. Sipas të dhënave më të fundit nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, XBB1.5 llogaritet për 27.6 për qind të infeksioneve të përgjithshme në javën e parë të janarit ku të prekur janë përgjithësisht fëmijët.
Cilat simptoma të XBB1.5 janë të zakonshme tek fëmijët?
Ekspertët pajtohen se simptomat priren të jenë të njëjta me ato që kemi parë më parë.
“Unë nuk kam parë asnjë provë që të sugjerojë se simptomat kryesore të variantit XBB janë të ndryshme nga variantet e mëparshme”, tha për HuffPost Ruth Kanthula, specialiste e sëmundjeve infektive pediatrike në MedStar Health.
Simptomat e zakonshme tek fëmijët mund të përfshijnë:
Ethe
Lodhje
Dhimbje trupi
Dhimbje të fytit
Kollë
Rrjedhje e hundës
Dhimbje koke
Humbja e nuhatjes ose shijes
Vështirësi në frymëmarrje
Simptoma si të vjella dhe diarre
“Është e vështirë të flasësh për humbjen e shijes dhe nuhatjes tek fëmijët e vegjël”, tha Tanya Altman, pediatre.
Altman thotë se ajo ka vënë re se fëmijët priren të jenë më pak të interesuar për të ngrënë ndërsa janë të sëmurë dhe kërkojnë “ushqime më të shijshme ose pikante pasi të shërohen, gjë që për mua tregon se shija e tyre mund të mos jetë rikuperuar ende plotësisht”.
Altman përshkroi shumicën e infektimeve që ajo po i sheh tani si të lehta, me fëmijët që kanë simptoma më pak serioze se të rriturit. Ajo shtoi se fëmijët duket se po shërohen shpejt pasi dalin pozitiv.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se një fëmijë mund të ketë dy viruse të frymëmarrjes në të njëjtën kohë, të cilat mund të shkaktojnë që simptomat e tyre të jenë më të rënda. Viruse të tjera në qarkullim tani përfshijnë RSV dhe gripin, të cilët disa e kanë quajtur, së bashku me COVID-19, “tripledemik”.
Sa ngjitës është XBB1.5?
“Dallimi kryesor që është vërejtur me variantin XBB në krahasim me variantet e tjera të COVID-19 është se varianti XBB përhapet shpejt”, tha Kanthula.
“Varianti XBB.1.5 ka një mutacion që virologët besojnë se po ndihmon virusin të lidhet më mirë me qelizat dhe kështu të jetë më i transmetueshëm”, shpjegoi profesori i mikrobiologjisë molekulare dhe imunologjisë Andy Pekosz.
Praktikisht, kjo do të thotë se virusi mund të infektojë shumë anëtarë të një familjeje, ose një klasë shkolle, në një kohë të shkurtër.
Përveçse është më shumë i transmetueshëm, XBB1.5 duket gjithashtu se është “imun-evaziv”, sipas Pekosz, që do të thotë se mund të ketë shumë infektime të reja te njerëzit që kanë kaluar më parë Covid-in, janë të imunizuar ose të dyja.
Si mund ta parandaloni që fëmija juaj të infektohet me XBB1.5?
“Unë mendoj se qëllimi tani është të mësojmë të jetojmë me Covid-19, ashtu siç jetojmë me gripin, RSV dhe sëmundje të tjera ngjitëse të frymëmarrjes”, tha Altman.
Qëndroni në shtëpi kur jeni të sëmurë, lani duart, dezinfektoni sipërfaqet, mësoni fëmijët të mbulojnë gojën kur kolliten ose teshtijnë.
Burimi: Huffington Post. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



