Politike

“Simptoma” të një politike që po shkon drejt zgjedhjeve?

Mentor Kasa - Në harkun kohor të një viti, Presidenti Ilir Meta dhe mazhoranca socialiste janë përplasur në disa raste. “Krisja”, sipas fjalëve të vetë Kryeministrit Edi Rama, filloi me dorëheqjen e Fatmir Xhafajt në fund të tetorit të vitit të kaluar dhe emërimin e Sandër Lleshajt si pasues të tij.

Që nga ajo kohë, kur Presidenti Ilir Meta e refuzoi dekretimin e Lleshajt si Ministër të Brendshëm duke deklaruar ‘se kandidatura e tij nuk i kishte krijuar bindjen e plotë’, e deri tek përplasja e fundit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, kreu i shtetit ka pasur në krah opozitën.

Por, ndryshe nga herët e tjera, këtë herë opozita dhe vetë Lulzim Basha edhe pse i japin të drejtë Ilir Metës, nuk duken aq “agresivë” në mbrojtjen e vendimeve të tij dhe këtë e tregon fakti që në kulmin e kësaj përplasjeje, vetë kreu i PD-së ishte në turin “Rrugëtimi për Shqipërinë” me takime me të rinj dhe fermerë në të gjithë vendin.

Kulmi e gjeti në Sarandë, Urën Vajgurore dhe Devoll. Në të gjitha këto takime, përplasja Presidencë-Kuvend për Gjykatën Kushtetuese përmendet kalimthi, si pjesë ilustruese për akuzat e Bashës ndaj Ramës se po kap drejtësinë, ndërsa takimet e konceptuara si bashkëbisedim synonin shpalosjen e programit ekonomik të Partisë Demokratike edhe për rininë dhe fermerët.

Lulzim Basha gjatë takimit me fermerët në Urën Vajgurore. Gazeta Si, 18 nëntor 2019

Bëhet fjalë për dy kategori të shoqërisë shqiptare ku Partia Demokratike, sipas rezultateve zgjedhore në përgjithësi dhe sondazheve të kryera në të shkuarën nuk gëzon mbështetjen më të madhe. Rinia është kategoria me nivelin më të lartë të bojkotit të zgjedhjeve, ndërsa përgjithësisht zonat rurale në Shqipëri kanë mbështetur më shumë Partinë Socialiste.

Të gjitha këto dhe mënyra e konceptimit të takimeve në kuadër të turit të Lulzim Bashës të çojnë në deduksionin logjik se kryetari i Partisë Demokratike po përgatitet për zgjedhje të reja.

Kjo bindje përforcohet edhe më tej nga ndryshimi drastik i qëndrimit të Edi Ramës sa i takon votimit elektronik, një kërkesë e hershme e Partisë Demokratike.

Rama, që para dhe pas zgjedhjeve të 2017 e cilësonte si tabu dhe të pamundur votimin elektronik (si metodën online, ashtu edhe atë offline), tashmë e vlerëson si plotësisht të mundshëm dhe të realizueshëm këtë votim, madje (dhe ndoshta për të bindur opozitën) e testoi votimin elektronik në zgjedhjet e brendshme të Partisë Socialiste, që u mbajtën në fundjavë.

Sinjali tjetër që sugjeron se diçka po lëviz nën rrogoz është fakti që PD duket se është tërhequr nga qëndrimi i 25 shtatorit, kur në një tryezë për reformën zgjedhore të organizuar nga OSBE prezantoi me këmbëngulje platformën e saj për ngritjen e një strukture jashtëparlamentare për hartimin e kësaj reforme.

Tryeza e OSBE (25 shtator 2019) për reformën zgjedhore. Ambasadori Borchardt, Damian Gjiknuri nga PS dhe Ivi Kaso i PD. Gazeta "Si", 18 nëntor 2019

Opozita thotë se vazhdon t’i qëndrojë kësaj platforme, por njëkohësisht i është përgjigjur pozitivisht ftesës së OSBE-së për të marrë pjesë në një tryezë për reformën zgjedhore, ku do të përfaqësohet në nivel teknik në krah të Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit, dy bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Sinjalin e fundit e japin ndërkombëtarët. Ata i kanë qëndruar larg sherrit të ditës për Gjykatën Kushtetuese, që e kanë komentuar vetëm me deklarata standarde që kjo çështje të zgjidhet dhe po i mëshojnë më shumë reformës zgjedhore, si një prej kushteve të vendosura edhe nga BE për hapjen e negociatave.

Ky qëndrim i tyre ngre disa pikëpyetje. Njëra prej të cilave është se si ka mundësi që ndërkombëtarët heshtin kur shohin se reforma në drejtësi, ku janë investuar aq shumë me burime financiare dhe njerëzore, shkakton një ngërç të tillë kushtetuese, kur në të shkuarën kanë mbajtur deklarata dhe qëndrime për gjëra shumë më të vogla se kaq?

Presidenti Ilir Meta dhe Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca. Gazeta Si, 18 nëntor

I fundit që anashkaloi përplasjen për Kushtetuesen me togfjalëshin “të sqarohet kjo çështje” ishte Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca. Në vend të kësaj edhe ai kërkoi që të ecet përpara me reformën zgjedhore, për të cilën mazhoranca i ka vënë afat vetes fundin e këtij viti.

A janë këto “simptoma” të një vendi që po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë