Gazeta Si – Nuk është e thënë që trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ta ketë të plotë skuadrën për dy ndeshjet e radhës. Për kualifikueset ndaj Ishujve Faroe dhe Moldavisë, braziliani do të ketë përsëri mungesa të rëndësishme, ku e sigurt është ajo e Marash Kumbullës.
Mbrojtësi i Romës u dëmtua në ndeshjen e fundit me Milanin pas çerek ore lojë. Kumbulla e ka mbyllur sezonin, pasi ka dëmtuar rëndë gjurin. Koha e rikuperimit është e gjatë dhe ai nuk do të jetë gati për Kombëtaren për ndeshjet e qershorit.

Trajneri Silvinjo u përball me disa mungesa me peshë që në ndeshjen debutuese të tij, atë ndaj Polonisë në Varshavë, ku kuqezinjtë humbën 1-0. Në atë ndeshje mungonin Broja, Bare, Gjimshiti dhe Ismajli. Kumbulla luajti në qendër me Mihajn dhe bënë një ndeshje mjaft të mirë.
Lajmi i mirë është se është rikthyer mesfushori Bare së fundi. Po ashtu, Gjimshiti është aktivizuar rregullisht, ashtu si dhe Ismajli. Broja është ende në fazë rikuperimi dhe mbetet të shihet, nëse mund të jetë gati në qershor apo jo.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




