Kombetarja

Silvinjo zyrtarisht shqiptar, Rama i dorëzon Hysajt pasaportat diplomatike të kuqezinjve

Gazeta Si – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, është zyrtarisht shtetas shqiptar. Gjatë ceremonisë së mbrëmjes së sotme të organizuar nga FSHF, braziliani ka marrë pasaportën shqiptare në praninë e Presidentit të Republikës Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të FSHF-së Armand Duka.

Silvinjo bëhet kështu trajneri i dytë i huaj që në pak vite merr nënshtetësinë shqiptare, pas italianit Xhani De Biazi.

Gjatë ceremonisë, kryeministri Rama tha: “Kam privilegjin për të thënë dy fjalë. Duhet të përgëzojmë me gjithë zemër të gjithë atë që mundësuan suksesin e jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Përgëzimin dua ta filloj nga De Biazi, i cili na tregoi se kjo nuk është një ëndërr e pamundur. Dua ta vazhdoj me Rejën dhe ta mbyll me Silvinjon”.

Kreu i qeverisë, pasi Silvinjos iu dha pasaporta shqiptare, thirri mbrojtësin Elseid Hysaj për t’i dorëzuar pasaportat diplomatike të lojtarëve të Shqipërisë. “Kur Shqipëria u kualifikua në Europianin e 2016-ës, ne u dhamë të gjithë sportistëve pasaport diplomatike.

Kur nuk u kualifikuan pas 4 vitesh, pasaportave iu dogj afati. Tani do të kthehet sërish pasaporta diplomatike dhe nga kjo do të përfitojnë shumë lojtarë që e kanë për herë të parë pasaportën diplomatike. Thirra Hysajn, që ishte mosbesues që kjo do të ndodhte, ai do të mësojë tani se unë atë që them, e mbaj”, – shtoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë