Kombetarja

Silvinjo: S’ka eufori në skuadër, do jetë ndeshje fizike ndaj Ishujve Faroe

Gazeta Si – Një ditë para ndeshjes me Ishujt Faroe në transfertë, trajneri Silvinjo doli në konferencë shtypi bashkë me mesfushorin e Ylber Ramadani. Të dy shprehën besimin për një tjetër trepikësh në eliminatoret e Euro 2024.

Trajneri brazilian tha se në skuadër nuk ka eufori pas fitores me Moldavinë dhe se të gjithë janë të ndërgjegjshëm për të dhënë maksimumin.

Silvinjo gjate ndeshjes me Moldavine. Gazeta Si, 19 qershor 2023

“Fusha me bar sintetik mund të ketë vështirësitë e veta, por është e njëjtë për të dyja skuadrat. E shoh si një ndeshje të vështirë, për formacionin do të vendosim pas seancës së fundit, pasi të kemi parë më mirë gjendjen e lojtarëve. Nuk ka eufori, e kemi theksuar dhe ritheksuar që kemi 6 finale përpara.

Pres që lojtarët të vrapojnë me 100 km/h, që të arrijmë objektivin. Kjo është mënyra e vetme. Ndeshja me Ishujt Faroe është krejt ndryshe nga ajo me Moldavinë. Është një ndeshje shumë e vështirë. Luajmë ndaj një rivali që mund të përshtatet gjatë gjithë kohës në fushë me skema të ndryshme.

Është një lojë tepër fizike, lojtarët e Ishujve Faroe janë shumë të rrezikshëm, sidomos në lojën në ajër dhe në goditje standarde. Ndaj Moldavisë na u deshën 52 minuta për të gjetur golin, por ndeshjet luhen 90 minuta dhe e rëndësishme është fitorja. Duhet pak durim dhe seriozitet, presim të jetë një ndeshje shumë e vështirë”, – theksoi Silvinjo mes të tjerash.

Ramadani: Kemi energji pozitive në ekip
Ramadani, një nga më të mirët ndaj Moldavisë, theksoi se duhet dhënë maksimumi për të shkuar në kuotën e 6 piukëve në grup: “Jemi të gjithë profesionistë dhe këto dy ndeshje kemi ardhur t’i luajmë, duke dhënë 100% në fushë. Do të bëjmë maksimumin dhe të marrim rezultat pozitiv në këtë ndeshje.

Nuk duhet të kalojmë në eufori. Duhet të hyjmë në ndeshje me qasje shumë të mirë, të marrim rezultat pozitiv, të shkojmë në Shqipëri me fitore. Kemi shumë energji pozitive brenda grupit, jemi shumë të kënaqur, pasi trajneri ka futur energji shumë pozitive në ekip. Duhet të përshtatemi që në momentin e parë në fushë.

Do jetë një ndeshje shumë e vështirë, shumë e fortë fizikisht.. E njoh kundërshtarin, pasi kam jetuar për katër vite në Danimarkë. Kam një shok që luan aty, nuk janë ekip i lehtë. Ata do mundohen të na e bëjnë jetën të vështirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë