Kombetarja

Silvinjo sjell fytyra të reja në tetor, Çuni dhe Muçolli risitë e listës kuqezi

Gazeta Si – Lista e tetorit do të ketë emra të rinj në Kombëtaren shqiptare, kjo është e sigurt. Mbetet të shihet cilët do të jenë këta emra konkretisht, por trajneri Silvinjo pak a shumë ka lënë të nënkuptohet se cilat do të jenë risitë për ndeshjen vendimtare me Çekinë dhe miqësoren me Bullgarinë.

‘Përforcimet ‘ i përkasin sulmit, me një lojtar qendre, një sulmues anësor dhe ndoshta edhe një fantazist. Marvin Çuni dhe Arbnor Muçolli janë më afër listës së trajnerit brazilian. Në disktutim mbetet Meritan Shabani, një tjetër kandidat për fanellën kuqezi, që luan me Grasshopers në Zvicër.

Çuni, i rritur sportivisht te Bajerni, ashtu si Shabani, luan me Frozinonen në Serinë A. Ai aktivizohet si qendërsulmeus, është 22 vjeç dhe 1.88 metra i gjatë. Një lojtar shtatlartë që mund t’í shërbejë Kombëtares në të ardhmen.

Arbnor Muçolli. Gazeta Si, 24 shtator 2023

Muçolli, 24 vjeç, luan në rolin e sulmuesit të majtë dhe këtë sezon ka pasur një ecuri të mirë me skuadrën e tij, Goteborg. Ai ka nënshtetësi shqiptare dhe daneze, por ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë.

Silvinjo, edhe pse gjërat po shkojnë shumë mirë aktualisht në Kombëtaren shqiptare, nuk nënvlerëson asgjë. Ai kërkon gjithmonë më të mirën për Shqipërinë dhe vazhdimisht është në kërkim të lojtarëve që mund të jenë elementë të rëndësishëm për fanellën kuqezi.

Së fundi trajneri brazilian ka ndjekur nga afër ndeshjen e Muçit me Legian në Europë, si dhe ka shkuar në Londër për të takuar nga afër Armando Brojën. Ai ka biseduar edhe me përfaqësuesit e klubit të Çelsit për t’u infiormuar më në detaje në lidhje me gjendjen e sulmuesit, nëse ai mund të grumbullohet në tetor apo jo. Kujtojmë që Broja vjen nga një mungesë e gjatë në fushë për shkak dëmtimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë