Gazeta Si – Trajneri Silvinjo ka shpallur sot listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, që mbyllin kualifikuese e Euro 2024. Janë të njëjtët futbollistë me ata të ndeshjeve të fundit.
Risia e vetme në listën me 24 emra është ajo e sulmuesit Arbnor Muçolli. Lojtari që aktivizohet me Goteborg në Suedi ka qenë prej kohësh në planet e trajnerit brazilian dhe tashmë ai e ka përfshirë në listë për dy ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe.
Mungon, ashtu sikurse ishte parashikuar, Armando Broja. Ai nuk e ka marrë veten ende 100% nga dëmtimi dhe në ndeshjet e fundit nuk është grumbulluar as nga Çelësi për ndeshjet e kampionatit. Në mbrojtje kthehet Adrian Ismajli, i cili e ka kaluar dëmtimin, dhe jashtë liste mbetet Enea Mihaj.
Grumbullimi kuqezi do të nisë që ditën e diel, kur do të mbërrijnë futbollistët e parë që do të mbyllin impenjimet me klubet e tyre. Të shtunën trajneri Silvinjo do të dalë para gazetarëve në konferencën e zakonshme për shtyp, ku do të shpjegojë zgjedhjen e tij.
Shqipëria kryeson grupin me 13 pikë dhe objektivi nuk është vetëm kualifikimi për në Gjermani, por edhe vendi i parë. Kuqezinjtë mund ta certifikojnë kualifikimin për herë të dytë në një Europian që ndeshjen e Moldavisë me një rezultat pozitiv të mundshëm. Kjo ndeshje luhet më 17 nëntor në Moldavi, kurse 3 ditë më pas luhet ndeshja me Ishujt Faroe në ‘Air Albania’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.