Kombetarja

Silvinjo shpall listën ndaj Çekisë, Armando Broja risia e vetme e brazilianit

Gazeta Si – Trajneri Silvinjo ka shpallur sot listën e 25 lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet me Çekinë dhe Bullgarinë. Priteshin risi në këtë listë, por i vetmi që i bashkohet grupit në krahasim me ndeshjet e fundit, është Armando Broja.
Sulmuesi i Çelsit rikthehet pas një mungese të gjatë. Ai u dëmtua dhjetorin e vitit të kaluar, kreu një ndërhyrje kirurgjikale dhe javët e fundit është rikthyer me Çelsin, duke marrë minuta si zëvendësues dhe pastaj si titullar. Një ‘armë’ e fortë për trajnerin brazilian ndaj Çekisë.

Broja feston një gol me Kombëtaren. Gazeta Si, 6 tetor 2023

Në listë janë pastaj gjithë emrat e zakonshëm, me përjashtim të Odise Roshit. Pritej një ftesë për Arbnor Muçolli, i cili ka bërë një paraqitje shumë të mirë në kampionatin suedez, por nuk bën pjesë në listë këtë herë.

Shqipëria do të nisë përgatitjet të hënën, më 9 tetor, në “Shtëpinë e Futbollit”. Lojtarët do të grumbullohen në kryeqytet, ku është programuar që trajneri Silvinjo të dalë në konferencë për mediat ditën e shtunë, prej orës 11:00.

Kombëtarja do t’i luajë në “Air Albania” të dyja ndeshjet e tetorit. Fillimisht me Çekinë më 12 tetor, prej orës 20:45, ndërsa më pas në program është miqësorja me Bullgarinë më 17 tetor, ora 18:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë