Kombetarja

Silvinjo pranon: Nuk më pëlqeu ekipi! Kush nuk vrapon, nuk mund të vijë me ne

Gazeta Si – Trajneri Silvinjo e shfaqi hapur pakënaqësinë pas humbjes së thellë me Kilin. Ai theksoi se skuadra nuk pati intensitet në lojë dhe gaboi shumë.

“Në 25 minutat e para nuk bëmë asgjë mirë. Na mungoi intensiteti. Nuk më pëlqeu fare loja, duhet të luajmë 90 minuta. Por pasi pësuam golin, ne hymë në lojë. Më acaroi fakti që pësuam golin e dytë dhe të tretë në fund.

Duhet të kishim reaguar, siç bëmë në Pragë dhe në Varshavë. Nuk ka titullarë fiks në ekipin tonë. Kush nuk vrapon, nuk vjen me ne. Kemi 23 lojtarë dhe të gjithë marrin minutat e tyre, duhet të mësohemi me këtë nivel. Nuk është e lehtë të gjykosh një futbollist për 45 minuta apo për 90 minuta. Është shumë pak, por nuk ka një rrugë tjetër.

Tani kemi edhe Suedinë dhe koha është e pakët në dispozicion. Më pas duhet të përgatitemi për Europianin. Kili është një skuadër e një niveli të lartë. Ka histori të madhe, lojtarë me teknikë, shumë agresivë dhe të shpejtë. Ata janë lojtarë që janë mësuar të luajnë në Botëror dhe kanë fituar Kupën e Amerikës.

Na duhet të mësojmë të luajmë me nivel të lartë. Nuk mund të them që është test negativ për lojtarët e rinj. Duhet të rishikoj ndeshjen dhe kur të kthehemi në Tiranë, do të fillojmë të mendojmë për përgatitjet për Europianin”, – tha Silvinjo mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë