Kombetarja

Silvinjo për shortin: Liga e Kombeve ndryshon nga Europiani. Duka: Doja Anglinë në grup!

Gazeta Si – Pas hedhjes së shortit në Paris për grupet e Ligës së Kombeve, kanë folur trajneri Silvinjo dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Braziliani mes të tjerash theksoi se kompeticioni në fjalë ndryshon nga të tjerët dhe se kuqezinjtë do të synojnë vendin e parë në grup.

“Grupi është i vështirë dhe i ekuilibruar. Kemi një skuadër të rëndësishme, nëse bëjmë krahasimin me kualifikueset e Europianit. Por Europiani është gjë tjetër dhe stacionet që kemi ne për Ligën e Kombeve janë gjë tjetër. Janë kundërshtarë që ke dëshirë t’i kesh përballë.

Silvinjo, trajneri i Kombetares shqiptare. Gazeta Si, 8 shkurt 2024

Çekia sërish? Një avantazh dhe disavantazh. I njohim mirë dhe ata na njohin shumë mire, kanë skuadër të fortë dhe agresive. Janë të gjitha skuadra që duan pikë, do jetë një grup shumë i vështirë.

Rinovimi? Nuk jam aspak i shqetësuar për këtë çështje. Ne e dimë që duhet të punojmë shumë për këtë Europian. Jemi duke punuar shumë me miqësoret, stërvitjen dhe mbi të gjitha ndeshjen me Italinë. Javën e kaluar kam qenë në Itali, Gjermani dhe takova lojtarët. Duhet të shfrytëzojmë çdo moment për të punuar, për të bërë gjëra të bukura. Tani të kthejmë faqen në krahun tjetër dhe të nisemi drejt finaleve të Europianit. Kemi zyrtarizuar miqësoren me Suedinë, do të kemi dhe një tjetër”, – tha Silvinjo pas shortit.

Kreu i FSHF-së, Duka, u shpreh se do donte Anglinë në grup: “Grupi le të themi është i barabartë. Çekia është mbase skuadra më e mirë, nuk kisha dëshirë ta kishim, jo vetëm për nivelin sportiv, por se kishim një eksperiencë pak muaj më parë. Ukraina është skuadër e mire, luan në play-off në Europian. Edhe Gjeorgjia gjithashtu.

Ajo që biseduam me stafin, me trajnerin, është të përqendrohemi tek Europiani. Liga e Kombeve është një kompeticion i rëndësishëm, nëse dalim të parët në grup mund të shkojmë në A, ky do jetë objektivi. Sepse mund të sigurojë një vend për play-off-in e Botërorit. Pasi të mbarojmë aventurën në Europian, të mendojmë seriozisht për sfidat.

Në grupin e Anglisë? Pse jo, të kishim një eksperiencë ndryshe. Për t’u bërë i forte, duhet të luash me më të fortët. Do të dëshiroja të mos kishim çekët, pse jo në grup me Anglinë. Në kualifikueset e Botërorit kishim eksperiencë negative, por mund të provonim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë