Kombetarja

Silvinjo për dy ndeshjet e qershorit: Shumë të rëndësishme, do japim 100%

Gazeta Si – U bënë 4 muaj që Silvinjo drejton Kombëtaren e Shqipërisë. Braziliani ka folur së fundi për faqen zyrtare të FSHF-së në lidhje me këtë eksperiencë, për debutimin ndaj Polonisë, jetën në Tiranë dhe synimet për dy ndeshjet e qershorit.

“Ndihem shumë mirë në Tiranë, qytet shumë i bukur. Ushqimi është shumë i mirë, njerëzit janë gjithashtu shumë të sjellshëm. Jemi gjithë ditën në zyrat e FSHF-së, e nisim ditën e punës në orën 9:00 dhe vazhdojmë deri në ora 16:00 apo 18:00.

Kishim rastin të punonim me djemtë e Kombëtares në fushë për ndeshjen me Poloninë, janë seriozë dhe profesionistë të nivelit të lartë. Jam i kënaqur prej tyre dhe nga e gjithë puna që kemi bërë këtu.

Kemi shkuar në Itali, Zvicër, Portugali, Spanjë apo Angli për të takuar dhe folur me lojtarët. Kjo punë, që të shkosh te lojtari aty ku është dhe të flasësh sy më sy është për të krijuar marrëdhënie të mira. Më vjen shumë keq, kur një lojtar nuk mund të zbresë në fushë dhe të stërvitet.

Kemi takuar shumë lojtarë për të menaxhuar sa më mirë rikthimin e tyre me Kombëtaren. Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme në qershor, është një moment paksa i vështirë, sepse kampionatet përfundojnë në data të ndryshme dhe duhet që lojtarët të kuptojnë rëndësinë.

E dimë që janë dy ndeshje të vështira, nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. Me Moldavinë, me shumë mundësi, do ta kemi stadiumin plot me tifozët tanë, kjo do ta motivojë dhe ndihmojë skuadrën.

Zbresim në fushë për të dhënë 100%, me shumë dëshirë dhe tifozët presin nga ne që të tregojmë në fushë zemrën dhe shpirtin e duhur, organizim i mirë, ritëm dhe atë që duam ne nga kjo skuadër. I kemi këto elementë, lojtarët janë të bindur për këtë objektiv dhe shkojmë për të bërë një ndeshje të mirë, jam i bindur”, – tha Silvinjo mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë