Kombetarja

Silvinjo ndryshon listën e Kombëtares, Uzuni zëvendëson Brojën. Sqaron mungesën e Muçit dhe Berishës

Nga Gazeta Si- Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, është shfaqur sot para mediave për të prezantuar grumbullimin për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Në konferencën e tij të parë për këtë sezon të ri, Silvinjo ka folur për objektivat e skuadrës, por edhe ndryshimet që janë bërë në radhët e ekipit me afrime dhe largime lojtarësh.

“Pikë së pari, Broja nuk është në listë, është jashtë. Ne kemi pritur deri në fund dhe edhe dje ishim në kontakt me Evertonin, stafin, të gjithë ata. Ai kishte një problem me tendinin e Akilit, ka nisur përgatitjen, por ne e dimë që është jashtë 10-15 ditët e ardhshme, nuk mund të na ndihmojë. Më vjen keq për të dhe i uroj një rikuperim të shpejtë, kemi bërë ftesën për Uzunin, që nesër mund të jetë me ne”, tha ndër të tjera Silvinjo.

Silvinjo foli edhe për lojtarët që janë lënë jashtë listës si Ernest Muçi apo dhe portieri Etrit Berisha.

Ai tha se ai është një lojtar perfekt por në ndeshje specifike, mund të mos jetë i grumbulluar dhe kjo nuk do të thotë se nuk është lojtar i mirë.

“Kur flasim për listën e madhe mua më duhet të zgjedh, Muçi është i rëndësishëm, e kemi pasur edhe në Europian por në këto ndeshje më është dashur të zgjedh lojtarë të tjerë. Kemi punuar me stafin dhe zgjedhjen e Asanit, opsionin tjetër kemi Muçollin që është i dëmtuar. Nuk mund të zgjedh më shume se 24 lojtarë”, tha Silvinjo.

Ai foli edhe për mungesën e portierit Etrit Berisha, duke thënë se atë e penalizon fakti se nuk ka një skuadër e për pasojë, nuk stërvitet rregullisht.

“Berisha? Unë e kam thënë gjithmonë që Kombëtarja është e hapur, në këtë moment futbollisti nuk ka klub. Është moment i veçantë se ata vijnë edhe nga pushimet. Ka 30-35 ditë pushime, shumë kanë bërë fazën përgatitore dhe vijnë. Por lojtari që nuk ka klub humb shumë se nuk stërvitet. Por ekipi është i hapur, ne punojmë me gjithë stafin për t’u përmirësuar gjithmonë në çdo aspekt, por në këtë moment jo”, tha Silvinjo.

I pyetur për dy ndeshjet e radhës, me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, nëse do të neglizhohen, e për pasojë mund të rrezikojmë që të humbim, trajneri tha se e respekton historinë por nuk e sheh pjesën tjetër.

“Ukraina dhe Gjeorgjia janë të forta, ndoshta nuk krahasohen me Italinë dhe Spanjën por janë skuadra të forta. Për mua është njësoj, me çdo skuadër. Në çdo ndeshje ju them gjithmonë të njëjtën gjë lojtarëve, që është një ndeshje e vështirë dhe duhet të bëjmë më të mirën, të japim shpirtin në fushë”.

Në mbyllje të konferencës, Silvinjo falënderoj edhe dy lojtarët që kanë lënë Kombëtaren, Sokol Cikalleshin dhe Klaus Gjasulën.

“I falënderoj për gjithë kontributin që kanë dhënë për kombëtaren. Kanë qenë perfekt me ne”, përfundon Silvinjo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë