Gazeta Si – Për kuqezinjtë ishte kjo e martë dita e dytë e përgatitjeve për ndeshjen e radhës me Çekinë dhe e fundit në kryeqytet. Kombëtarja u stërvit pasdite në fushat e Shtëpisë së Futbollit, ku mungesa e vetme ishte sërish ajo e mesfushorit Qazim Laçi.
Lojtari i Spartës së Pragës po kalon një gjendje gripale dhe u la sërish pushim nga stafi mjekësor. Gjithë lojtarët e tjerë ishin të gatshëm për trajnerin Silvinjo, i cili ka në dispozicion edhe një seancë stërvitore në Çeki për të dhënë udhëzimet e fundit.
Në stërvitjen e Kombëtares A kanë marrë pjesë edhe 7 futbollistë të Kombëtares U-19. Stafi teknik ka punuar me dyer të mbyllura, me lojtarët të ndarë në dy grupe.
Të mërkurën në mëngjes kuqezinjtë do të nisen drejt Pragës, ku të enjten do të luajnë sfidën me ekipin vendës. Ndeshja luhet në orën 20:45, në stadiumin “Fortuna Arena”. Më 10 shtator pastaj Shqipëria luan ndeshjen me Poloninë në “Air Albania”. Dy ndeshjet e shtatorit vendosin shumë për kualifikimin në Euro 2024.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.