Kombetarja

Silvinjo: Isha në ankth nga stadiumi plot, skuadra bëri ndeshje shumë të mirë

Gazeta Si – Trajneri Silvinjo e arriti objektivin për të fituar një ndeshje që duhej fituar patjetër. Zgjedhjet e tij dhe skema e lojës funksionuan, ndërkohë që entuziazmi dhe motivimi që braziliani përcjell në skuadër janë ‘armët’ që i bëjnë kuqezinjtë të shprehen më mirë.

Pas fitores së parë si trajner i Shqipërisë, Silvinjo theksoi se përjetoi emocione të mëdha, madje ishte në ankth para stadiumit plot. “Ishte një debutim shumë i mirë për mua, ishte shumë e rëndësishme të fitonim në shtëpi. Isha në ankth, sepse më thanë se stadiumi do të ishte plot.

Jam shumë i kënaqur nga skuadra, bëri shumë mirë në këtë ndeshje. I kisha paralajmëruar lojtarët se do të ishte ndeshje e vështirë, ata ishin fantastikë në fushë. Është e rëndësishme që t’u japim lojtarëve të kuptojnë se mund të arrijmë një objektiv të madh. Jemi një dhe kemi një mundësi të vetme për të arritur objektivin, që është puna në fushë dhe rezultatet.

Ishte një ndeshje shumë impenjative, do të shohim shumë aspekte dhe do të vendosim për Ishujt Faroe. Kemi pasur një ndryshim në skemë sot, pasi luajtëm 4-2-3-1. Asani? Edhe kundër Polonisë ka bërë një paraqitje shumë të mirë. Nuk ishte shumë e mirë pjesa e tij e parë, pasi mbrojtësit ishin shumë pranë tij”, – theksoi trajneri brazilian pas ndeshjes.

Bajrami feston golin ndaj Moldavise. Gazeta Si, 17 qershor 2023

Deklaratat e protagonistëve
Kapiteni i Kombëtares, Elseid Hysaj, pas fitores me Moldavinë tha: “Besoj që në këtë ndeshje kemi treguar një formë shumë të mirë dhe nëse vazhdojmë kështu, do të jetë shumë e vështirë për të gjithë kundërshtarët. Kjo skemë na përshtatet më shumë, kemi shumë lojtarë që luajë me 4 në mbrojtje në skuadrat e tyre. Edhe Bajrami gjen veten më mirë me këtë skemë.

Rasti i Uzunit? Shyqyr që ishte pozicion jashtë loje. Silvinjo na ka karikuar shumë, na ka motivuar të bëjmë më të mirën. Kemi shumë djem të rinj, që edhe pse nuk luajnë shumë, na japin vërtetë shumë, duke u stërvitur me profesionalizëm dhe duke na motivuar të gjithëve”.

Nedim Bajrami, autori i golit të dytë, theksoi: “Jemi të lumtur që fituam. Kemi rrugë para dhe jemi një skuadër që besojmë dhe japim maksimumin. Edhe me Poloninë luajtëm mirë, na mungoi goli. Vëmendja shkon te ndeshja e radhës në transfertë ndaj Ishujve Faroe. Ky që luajta sot është pozicioni im i preferuar, erdhi edhe goli dhe shpresoj të shënoj sërish”.

Sokol Cikalleshi, sulmuesi kryesor i Kombëtares, tha se duhet kujdes për të mos kaluar në eufori pas kësaj fitoreje. Berat Gjimshiti, një nga titullarët kryesorë të Kombëtares, u shpreh se në skuadër ka entuziazëm të madh dhe dëshirë për të bërë mirë. Jasir Asani, i cili zhbllokoi shifrat, theksoi se e kishte premtuar një gol dhe ia arriti qëllimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë