Gazeta Si – Trajneri Silvinjo doli sot për herë të fundit në konferencë shtypi para një ndeshjeje eliminatore të Euro 2024. Ai foli për ndeshjen me Ishujt Faroe, që mbyll kualifikuesit, dhe theksoi se do vetëm fitoren.
Trajneri brazilian shpjegoi se është e rëndësishme që të sigurohet vendi i parë për të pasur edhe një pozicion më të mirë në shortin e grupeve në Europian. Ai pohoi se do të ketë ndryshime në formacion.
“Ishte diçka fantastike kualifikimi për në Europian. Festuam në Moldavi, sepse arritëm objektivin e parë. Ditën tjetër u kthyem në fushë, duke nisur përgatitjet për Ishujt Faroe. Duhet të bëjmë një ndeshje sa më të mirë dhe të fitojmë, sepse kështu do të kemi një pozicion më të mirë në shortin e grupeve. Duam vazon e dytë, por jo se duam të shmangim ndonjë kundërshtar.
Në Moladavi e menaxhuam mirë ndeshjen, por hasëm vështirësi në 10 minutat e fundit. Gjithsesi, e kaluam atë pjesë. I kemi fituar të gjitha ndeshjet në shtëpi dhe shpresoj ta fitojmë edhe këtë me ndihmën e tifozëve tanë të mrekullueshëm. Kemi dhe një seancë të fundit përpara kësaj ndeshjeje.
Tifozët janë përgatitur për festë dhe kjo është e drejtë, por ne kemi punën tonë në fushë. Patjetër që do të ketë ndryshime, do të kemi një skuadër më të freskët, sepse është e vështirë që të luash sërish me të njëjtët lojtarë pas 3 ditësh”, – theksoi Silvinjo.
Bare: Vetëm fillimi për Shqipërinë
Bashkë me trajnerin Silvinjo doli në konferencë edhe mesfushori Keidi Bare, i cili e ka humbur vendin e titullarit, por nesër, me sa duket, do të luajë. “Bëmë realitet ëndrrën dhe nuk duhet të ndalemi vetëm këtu. Kam folur me trajnerin në Barcelonë, më ka motivuar aq shumë, më dha shumë besim.
Të gjitha gjërat kanë ndryshuar për mirë nga federata. Tani kemi palestrën tonë, kemi një fushë të mirë stërvitore dhe jemi shumë komodë. Duhet të punoj fort, që të kap sërish vendin e titullarit. Që kur isha i vogël, e ëndërroja Europianin. Ne ia dolëm me besim dhe falë tifozëve jemi këtu. Ky është vetëm fillimi i Shqipërisë, nuk ka mbaruar asgjë”, – tha futbollisti fierak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.