Kombetarja

Silvinjo dhe lojtarët i gëzohen barazimit: Do të na vlejë për kualifikimin

Gazeta Si – Nuk ka dyshim që barazimi në Çeki ka rritur edhe më shumë entuziazmin në kampin kuqezi për një kualifikim të mundshëm. Trajneri Silvinjo dhe shumica e lojtarëve besojnë se pika e fituar në Pragë do të ketë rëndësi në fund.

Trajneri brazilian, pas ndeshjes mes të tjerash tha: “Ishte një ndeshje e vështirë, shumë e fortë. Ata janë kryesuesit e grupit dhe luanin në shtëpi. Kanë një ritëm shumë të shpejtë, sidomos në fillimin e ndeshjeve.

Ishte shumë e rëndësishme të merrnim një pikë, jemi në gjysmën e rrugës. Kemi bërë një ndeshje të mira dhe kjo pikë na jep mundësinë të luftojmë për kualifikimin. Tani duhet të luftojmë edhe më fort në ndeshjen e shtëpisë ndaj Polonisë, që është shumë e rëndësishme.

Jam shumë i kënaqur me të gjithë lojtarët, si e jetuan ata këtë ndeshje. Edhe për Mujën dhe Dakun, që luajtën ndeshjen e tyre të parë. Po krijohet një atmosferë shumë e mirë në dhomat e zhveshjes dhe kjo është diçka shumë pozitive. Kishim strategjinë tonë, duhet të bënim gjithçka për t’i ulur intesistetin Çekisë. Tifozët kanë parë një ndeshje të bukur. Kemi edhe 4 finale”.

Berat Gjimshiti, për herë të parë kapiten i Kombëtares, theksoi: “Ndoshta nuk ishte ndeshja jonë më e bukur, por është një pikë e mirë dhe jemi të lumtur. Mund të ishim më mirë në metrat e fundit, të krijonim më shumë rrezik. Mund të kishim synuar fitoren. Familja më tregoi se para 8 vitesh kam bërë debutimin në Danimarkë, është thuajse e njëjta ndeshje si kjo. Shpresoj të jetë rastësi e fatit”.

Nedim Bajrami, autori i golit, u shpreh: Besoj se ky është goli më i bukur në karrierë. E dinim që ata ishin të fortë fizikisht dhe e gjithë skuadra luajti mirë. Tani duhet të shohin dhe të bëjmë mirë çfarë bëmë keq në këtë ndeshje. Kam folur me trajnerin Silvinjo, ai më jep shumë besim. E festova golin me babin”.

Mirlind Daku, debutues në Kombëtare, mes lotësh ka folur pas ndeshjes: “Jam pa fjalë, shumë emocione. Bëra krenar familjen time, është më shumë se një Kupë Bote që po përfaqësojmë këta njerëz, të cilët po sakrifikojnë për ne. Pasimi te Muja? Doja Bajramin, por kisha merak mos ishte jashtë loje dhe ia dhashë Mujës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë